Nënshkruhet memorandum i bashkëpunimit ndërmjet UP-së dhe Universitetit të Zagrebit

10 Prill 2023
SHARE

Nënshkruhet memorandum bashkëpunimi ndërmjet Universitetit të Prishtinës, përkatësisht, Fakultetit të Filologjisë dhe Fakultetit të Shkencave Humane dhe Shoqërore të Universitetit të Zagrebit, me fokus shkëmbimin e stafit akademik, të studentëve dhe të zhvillimit të bashkëpunimeve të reja në fushën e shkencave filologjike në veçanti dhe të atyre humanistike e sociale në përgjithësi.

Memorandumi u nënshkrua si vazhdimësi e një bashkëpunimi konkret ndërmjet Qendrës së Gjuhëve “Croaticum” në Universitetin e Zagrebit dhe Qendrës së Gjuhëve të UP-së, të shkëmbimit të lektorateve nëpërmjet marrëveshjes ekzistuese ndërministrore Kosovë - Kroaci, të iniciuar më herët e që pritet të vazhdojë edhe gjatë vitit të ardhshëm akademik.

Memorandumi i bashkëpunimit u nënshkrua nga dekanët, prof. dr. Lindita Sejdiu - Rugova dhe prof. Domagoj Tonçiniq, në praninë e prodekanëve të këtyre fakulteteve.

Gjatë vizitës së saj në Universitetin e Zagrebit, dekanja Rugova ka takuar edhe drejtorin e Qendrës së gjuhës kroate për të huajt, Croaticum, dr. Antonio Juriçiq, përfaqësues të tjerë të kësaj qendre, si dhe me udhëheqësin e programit të studimeve të Evropës Juglindore, program i cili do të zhvillohet në gjuhën angleze, por në të cilin shqipja pritet të ofrohet krahas gjuhëve të tjera të Evropës Juglindore si lëndë zgjedhore.