KFOR-i i dhuron Departamentit të Gazetarisë donacion me pajisje teknologjike

08 Shtator 2022
SHARE

Departamenti i Gazetarisë i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” ka pranuar sot donacion të pajisjeve teknologjike nga KFOR-i. Ky donacion, i arritur falë bashkëpunimt të ngushtë të Departamentit të Gazetarisë me KFOR-in, synohet t’u shërbejë studentëve të gazetarisë dhe marrëdhënieve me publikun, për mësimin dhe praktikimin e gazetarisë së shkruar.

Falënderues për përkrahjen e dhënë për përgatitjen e profesionistëve të rinj të mediave dhe komunikimit u shpreh rektori i UP-së, prof. dr. Naser Sahiti. Ai falënderoi përzemërsisht KFOR-in, profesorët e departamentit dhe stafin që ka punuar në realizimin e kësaj nisme.

Edhe dekanja e Fakultetit të Filologjisë, prof. dr. Lindita Rugova, shprehu mirënjohjen e sinqertë të Fakultetit, për këtë mbështetje. Ajo theksoi se ky bashkëpunim është reciprok dhe se UP-ja është e gatshme ta ndihmojë KFOR-in me ekspertizë dhe konsulencë në fushat me interes për ata.

Nga ana e KFOR-it, të pranishmëve iu drejtua nënkoloneli Jarmo Holopainen. Ai tha që me anë të mbështetjes së dhënë, KFOR-i po synon të ngritë edhe më tutje kapacitetet e departamentit në përgatitjen e kuadrove të reja. Ndihmesa e komunitetit vendas në fusha të tjera të rëndësishme, si qëndrueshmëria e energjisë, riciklimi, e të tjera, janë disa nga aspektet në të cilat KFOR-i do të ishte i lumtur të ndihmonte.

Profesoresha e departamentit, prof. ass. dr. Remzie Shahini-Hoxhaj theksoi që këto pajisje do të jenë një ndihmesë e madhe për studentët e këtij departamenti, duke iu shërbyer atyre në punë praktike më kreative. Ajo përmendi edhe bashkëpunimet e mëhershme që ky departament ka pasur me KFOR-in, ku këta të fundit kanë dhuruar pajisje të teknologjisë së fundit për MediaLab-in.

Vlera e donacionit të pranuar është rreth 10 mijë euro. Donacioni përfshin laptopë, tabela të mençura dhe TV të mençur.