UP-ja vazhdon të zgjerojë partneritetet ndërkombëtare - nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi me Universitetin e Kalabrisë

27 Qershor 2022
SHARE

Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” ka vënë themelet e bashkëpunimit me Universitetin e Kalabrisë në Itali.Rektori i UP-së, prof. dr. Naser Sahiti, i shoqëruar nga prorektorja për bashkëpunim ndërkombëtar në UP, prof. asoc. dr. Albulena Blakaj, sot ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me rektorin e Universitetit të Kalabrisë, prof. Nicola Leone.

Lidhur me këtë memorandum bashkëpunimi, u shpreh i lumtur rektori Sahiti. Ai tha se përmes kësaj po hapen dyer të reja për bashkëpunime specifike, të cilat do të ndikojnë në implementimin e shumë projekteve që do të reflektojnë në ngritjen e cilësisë në arsimin e lartë te të dy institucionet.

Nënshkrimin e memorandumit të bashkëpunimit me UP-në e përshëndeti edhe rektori Leone. Ai theksoj që së bashku me UP-në kanë shumë fusha dhe projekte në të cilat mund të bashkëpunojnë.

E pranishme në këtë ceremoni virutale, ishte edhe ambasadorja e Kosovës në Itali, Lendita Haxhitasim. Ajo tha se ky është vetëm fillimi i mundësive të reja të bashkëpunimit dhe se do të vazhdojë të përkrahë çdo iniciativë, e cila është në interesin e përgjithshëm ndërmjet këtyre dy shteteve.

Gjatë këtij takimi, prorektorja Blakaj prezantoi disa nga mundësitë që i ofron UP-ja, siç janë Universiteti Veror i Prishtinës dhe Seminari Ndërkombëtar i Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe. Ajo përmendi kurset që ofrohen gjatë këtyre programeve për studentë ndërkombëtarë dhe interaktivitetin që i karakterizon këto organizime.

Përmes kësaj marrëveshjeje, synohet shkëmbimi i studentëve dhe stafit akademik, krijimi i programeve të përbashkëta studimore apo projekteve të përbashkëta hulumtuese, organizimi i konferencave dhe seminareve, trajnimeve si dhe vizita nëpër dy universitetet pjesëmarrëse.