Inaugurohet renovimi i hapësirave të përbashkëta të fakulteteve teknike në Universitetin e Prishtinës

15 Shkurt 2022
SHARE

Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike, Fakulteti i Inxhinierisë Elektrike, Kompjuterike, si dhe Fakulteti i Ndërtimtarisë të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, me rastin e shënimit të 52-vjetorit të themelimit të UP-së, inauguruan renovimin e hapësirës së përbashkët.

Rektori i UP-së, prof. dr. Naser Sahiti, tha se përurimi i këtyre hapësirave të përbashkëta në fakultetet teknike dëshmon bashkëpunimin e mirë që këto fakultete e kanë traditë që nga themelimi.
“Kam kënaqësinë që sot, në kuadër të shënimit simbolik të përvjetorit të 52-të të UP-së, të përuroj hapësirat e renovuara të Fakultetit Teknik, në të cilin operojnë tri fakultete. Me këtë renovim jam i bindur që do të përmirësohen dukshëm kushtet e studimit për të rinjtë e këtyre fakulteteve, si dhe do të ketë hapësirë më moderne për të kaluar kohën”, ka thënë Sahiti.  

Mes tjera, Sahiti bëri të ditur se gjatë ditës do të ketë edhe organizime tjera për shënimin e këtij përvjetori.

Në anën tjetër, dekani i Fakultetit të Ndërtimtarisë, prof. ass. Florim Grajqevci, tha se rregullimi është mundësuar nga Universiteti i Prishtinës për studentët e këtyre fakulteteve, në mënyrë që t’iu ofrohet atyre më shumë komoditet dhe të ndihen sa më mirë.

Gjatë ditës, kanë vijuar ceremonitë për ndarje të mirënjohjeve për studentë të dalluar, profesorë në pension si dhe profesorë që kanë kontribuuar në fushën e kërkimeve shkencore në UP.