1600 vende pune dhe mundësi të shumta në karrierë prezantohen në Panairin Nacional të Punës dhe Karrierës

26 Nëntor 2021
SHARE

Qendra për Zhvillim të Karrierës - Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”, e përkrahur nga Agjencia Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar (GIZ) GmbH, organizoi pavionin e karrierës, në kuadër të Panairit Nacional të Punës dhe Karrierës 2021, në fokus të të cilit ishin mundësitë e shumta për zhvillim në karrierë, si bursa e programe të certifikimeve dhe trajnimeve për studentët dhe të diplomuarit e UP-së.

Hapjen e ceremonisë solemne të edicionit të gjashtë të Panairit Nacional të Punës dhe Karrierës 2021 e bëri rektori i Universitetit të Prishtinës "Hasan Prishtina", prof. dr. Naser Sahiti.

Rektori SAHITI theksoi se Panairi Kombëtar i Punës dhe Karrierës dhe Panairi Virtual i Karrierës janë dy nga eventet më të mëdha të vendit, të cilat i kushtohen orientimit të të rinjve në karrierë.
“Lidhja e studimeve me tregun e punës është ndër objektivat e përcaktuar në planin strategjik të institucionit tonë. Ofrimi i programeve të bazuara në kërkesat e tregut të punës, përcjellja e trendeve botërore, si dhe forcimi i marrëdhënieve të UP-së me palët e interesuara në tregun e punës dhe komunitetin paraqesin pika kyçe, drejt avancimit të të cilave po punohet në vazhdimësi”, theksoi rektori.

Hapjen e panairit e përshëndetën ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, z. Hekuran Murati, dhe shkëlqesia e tij z. Joern Rohde, ambasador i Gjermanisë në Republikën e Kosovës.

Prej orës 09:00 deri në orën 16:00, mbi njëqind kompani e institucionet më të mëdha në Kosovë, rajon dhe më gjerë, përfaqësuese të të gjitha fushave të industrisë, si teknologjia e informacionit, telekomunikacioni, mjekësia, bujqësia dhe veterinaria, edukimi, hoteleri-turizëm, banka, juridiku, e shumë të tjera shpalosen në mënyrë virtuale ofertat e tyre për praktikë profesionale, punësim, bursa studimi dhe këshilla për orientim dhe udhëzim në karrierë.

Edicionit të gjashtë të Panairit Nacional të Punës dhe Karrierës 2021 i paraprinë aktivitete të shumta me karakter informimi dhe këshillimi, të organizuara nga Qendra për Zhvillim të Karrierës, në partneritet me projektin DIMAK Kosova/GIZ dhe CEO. Sesione informuese dhe trajnime të ndryshme për të ndihmuar punëkërkuesit të afrohen me standardet që kërkon tregu i punës ishin në fokus të këtyre aktiviteteve.

Panairi u organizua për të gjashtin vit me radhë në partneritet të ngushtë me: Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve, Agjencinë e Punësimit të Republikës së Kosovës, GIZ Kosovo dhe Odën Ekonomike Gjermano-Kosovare.