Në UP, hap punimet Konferenca Studentore Ndërkombëtare e Inxhinierisë së Ndërtimit – Marrin pjesë mbi 300 studentë e profesorë

25 Prill 2024
SHARE

Sot, në mjediset e Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit të Universitetit të Prishtinës, filloi maratona treditore “Konferenca Studentore Ndërkombëtare e Inxhinierisë së Ndërtimit” (ISCCE 2024).

Rektori i UP-së, prof. Qerim Qerimi, bashkë me rektorin e Universitetit Politeknik të Tiranës (UPT), prof. Andrea Maliqari, dhe dekanët e Fakulteteve të Inxhinierisë së Ndërtimit në UP, prof. Florim Grajçevci, dhe UPT, prof. Neritan Shkodrani, ngritën në piedestal arritjet e studentëve të fushave të inxhinierisë së ndërtimit, duke i kurorëzuar në këtë konferencë ndërkombëtare.

Në fjalën e tij të mirëseardhjes, rektori i UP-së ka deklaruar se inxhinierët e ndërtimit janë më tepër se thjesht profesionistë, ata janë vizionarë që literalisht ndërtojnë të ardhmen.  “Çdo urë, çdo ndërtesë, çdo projekt infrastrukturor që mbulon peizazhet tona është një dëshmi e largpamësisë dhe vendosmërisë së inxhinierëve të ndërtimit.

Këto struktura janë më shumë se betoni dhe çeliku; ato janë mishërime të ambicies njerëzore dhe qëndrueshmërisë kolektive”, ka deklaruar rektori Qerimi, duke shtuar se tema e konferencës, “Ndërtimi i së Ardhmes”, pasqyron jo vetëm aktin fizik të ndërtimit, por edhe krijimin e ideve dhe teknologjive të reja që do të përcaktojnë të nesërmen. “Ky është artikulim i përgjegjësisë që mbajmë – ndaj komuniteteve tona, ndaj planetit tonë dhe brezave ende të palindur”.

Në panele të rezervuara iu kushtua rëndësi edhe folësve të ftuar nga anembanë bota. Profesorë e inxhinierë të shquar nga Prishtina, Tirana, Stambolli, Praga, Vjena e Shkupi shpalosën, para më shumë se 300 pjesëmarrësve, hulumtime shkencore e tema inxhinierike, të prekura për herë të parë në rajon.

Kjo konferencë ndërkombëtare është arritje e madhe për Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit dhe për vetë UP-në, marrë parasysh gamën e madhe shkencore që po e shpalos kjo konferencë.

Konferenca Studentore Ndërkombëtare e Inxhinierisë së Ndërtimit është organizim i përbashkët i Fakulteteve të Inxhinierisë së Ndërtimit në Universitetin e Prishtinës dhe Universitetin Politeknik të Tiranës, dhe përfaqëson një traditë në rritje të bashkëpunimit gjithnjë e më të ngushtë ndërmjet dy institucioneve.

Konferenca përfaqëson një mundësi unike për ngritjen e nivelit akademik të studentëve në universitetin tonë dhe më gjerë. Kjo ngjarje do të vazhdojë edhe për dy ditë të tjera radhazi, për të shpërfaqur punën shkencore të studentëve pjesëmarrës.