Lansohet projekti “ValuED” - Edukimi i bazuar në vlera përmes mësimdhënies

08 Shkurt 2024
SHARE

 

Sot, në Fakultetin e Edukimit të Universitetit të Prishtinës, është prezantuar zyrtarisht projekti "Avancimi i edukimit të bazuar në vlera përmes reformës së politikave të zhvillimit të mësimdhënësve dhe praktikës shkollore" (ValuED). Ky projekt ambicioz synon të përmirësojë kompetencat e mësuesve për të reflektuar dhe avancuar arsimin bazuar në vlera.

Rektori i Universitetit të Prishtinës, Qerim Qerimi, në fjalën e tij, theksoi rëndësinë e këtij projekti për arsimin në Kosovë. Ai potencoi se një nga qëllimet kryesore është zhvillimi i mekanizmave të cilësisë në arsim, duke u fokusuar në praktikat evropiane të sigurimit të cilësisë në trajnimin e mësuesve.

Nga ana tjetër, ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, shprehu mbështetjen e saj për këtë projekt. Ajo vlerësoi qëndrimin e MAShTI-t në përmirësimin e cilësisë së arsimit në të gjitha nivelet dhe tha se projekti "ValuED" do të japë një kontribut të rëndësishëm në realizimin e këtij vizioni.

Projekti "ValuED" është një hap i rëndësishëm drejt avancimit të sistemit arsimor në Kosovë, përmes të cilit synohet transformimi i programeve për përgatitjen e mësimdhënësve, duke përfshirë e reflektuar më mirë vlerat si barazia, mosdiskriminimi, edukimi qytetar dhe përfshirja në të gjitha nivelet e arsimit.