Universiteti i Prishtinës ka mirëpritur studentët e rinj të vitit akademik 2023/24

02 Tetor 2023
SHARE

Në një tubim të veçantë të mbajtur pranë kampusit, pikërisht përballë Bibliotekës Kombëtare 'Pjetër Bogdani', Universiteti i Prishtinës i mirëpriti studentët e rinj të vitit akademik 2023/24.

“Ky rast i rëndësishëm shënon fillimin e udhëtimit arsimor në Universitetin e Prishtinës dhe ne u shprehim një mirëseardhje të përzemërt të gjithë atyre që kanë besuar tek ne për aspiratat e tyre profesionale dhe akademike” theksoi rektori Qerim Qerimi në mirëpritjen e studentëve.

Rektori Qerim Qerimi ndau disa rekomandime që studentët e rinj duhet të ndjekin në mënyrë që të përfitojnë sa më shumë nga vitet e tyre studentore: “përtej fushave të zgjedhura të studimit, kampusi ynë universitar është i mbushur me qendra dhe zyre që do të kontribuojnë në rritjen tuaj akademike, profesionale dhe intelektuale. Këto qendra përfshijnë Qendrën për Zhvillim të Karrierës, VentureUP, Qendrën e Inovacionit të UP-së dhe blogun e UP - insights.uni-pr.edu,  ku mund të qëndrojnë të përditësuar mbi zhvillimet më të fundit në shkencë dhe mundësitë e karrierës, të ofruara nga profesorët e universitetit dhe stafi professional”.

Për më tepër, Rektori theksoi rrjetin e universitetit prej mbi 500 partnerësh ndërkombëtarë, duke ofruar mundësi për të eksploruar kampuset globale, për të përfunduar një semestër jashtë vendit, për të ndjekur programe trajnimi ose për të marrë pjesë në shkolla të pasura verore.

Së fundi, rektori theksoi se UP-ja tani është universiteti i tyre. Profesorët më të dalluar janë për të udhëhequr rrugëtimin e tyre arsimor, dhe se ata tashmë janë një pjesë integrale e institucionit , përfundoi rektori Qerimi.

Fjalë frymëzuese ndau dhe  prof. Gentiana Beqa-Ahmeti, e cila foli për pasurinë e mundësive që i presin studentët e rinj në universitet. Prof. Beqa-Ahmeti reflektoi në rrugën e saj drejt dijes dhe suksesit, duke përfshirë arritjet e saj në garat evropiane dhe ndërkombëtare.

Bleron Beka, kryetari i Parlamentit Studentor, nënvizoi jetën e gjallë të kampusit, trashëgiminë e pasur të universitetit dhe rolin e tij kryesor në formësimin e shoqërisë.

Për të përfunduar këtë ngjarje, studentët e Fakultetit të Artit përformuan një performancë muzikore.

Pas tubimit mirëpritës, studentët vazhduan drejt fakulteteve të tyre, ku u pritën nga dekanët dhe stafi i fakulteteve të tyre.

Universiteti i Prishtinës ju uron të gjithë studentëve rrugëtim të suksesshëm akademik!