Universiteti i Prishtinës për herë të parë në "Times Higher Education"

28 Shtator 2023
SHARE

Universiteti i Prishtinës ka shënuar arritjen e radhës në rrafshin ndërkombëtar. Për herë të parë që nga themelimi i tij institucioni ynë është renditur në Times Higher Education (THE), një pikë referimi global për përsosmëri në arsim të lartë, kërkim shkencor dhe inovacion.

Renditja vjetore "THE” vlerëson në mënyrë rigoroze universitetet në mbarë botën. Në këtë renditje përfshihen 1,904 universitete nga 108 vende të ndryshme të botës, të cilët rangohen duke llogaritur përformancën e institucioneve të arsimit të lartë në fushat si: mësimdhënia, mjedisi kërkimor, kualiteti i hulumtimeve, industria dhe perspektiva ndërkombëtare.

Përfshirja e Universitetit të Prishtinës në këtë renditje shënon jo vetëm një arritje të jashtëzakonshme për institucionin dhe stafin e tij, por edhe një hap të rëndësishëm në prezencën dhe ndikimin tonë në skenën globale. “Ky sukses i universitetit është një dëshmi e përkushtimit dhe arritjeve shkencore të stafit tonë akademik, e promovimi i mëtutjeshëm është përparësia e pakrahasueshme dhe përkushtimi i palëkundur i këtij menaxhmenti", thekson rektori prof. Qerim Qerimi, i cili njëherësh shpreh mirënjohjen e thellë për të gjithë ata që kontribuan gjatë këtij procesi, duke përfshirë: prorektorin për kërkime, projekte, inovacion dhe informacion, prof. Avdiaj, prorektorët, Zyrën për Projekte dhe Kërkime Shkencore për bashkëpunimin e ngushtë në ketë proces, dekanët e njësive akademike dhe stafin e UP-së në tërësi.

Si universiteti i vetëm nga Kosova në renditjen e Times Higher Education, Universiteti i Prishtinës mbanë peshën e përgjegjësisë për të ngritur vazhdimisht standardet e ekselencës shkencore, kërkimore dhe inovative. Kjo arritje është pasqyrim i përkushtimit tonë të qëndrueshëm për avancimin e arsimit të lartë dhe formësimin e së ardhmes së Kosovës përmes kërkimit shkencor dhe inovacionit.

Më shumë në: https://www.timeshighereducation.com/world-university-rankings/university-prishtina