Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”, ka mbajtur ceremoninë e ndarjes së doktoratës së nderit (Doctor Honoris Causa), për laureatin e çmimit Nobel për Kimi, profesorin Dan Shechtman.
Rektori Qerim Qerimi tha se është nderë për universitetin që të ndajë çmimin për Dan Shechtman për punën e tij në fushën e shkencave të materialeve. “Është një nder i jashtëzakonshëm për ne që t’i japim profesorit Dan Shechtman çmimin prestigjiozDoctor Honoris Causa, në njohje të punës së tij novatore në fushën e shkencës së materialeve, ndjekjes së tij të palëkundur të së vërtetës shkencore, dhe rrugëtimit të tij të jashtëzakonshëm personal”.
Më tej, rektori Qerimi theksoj se “Ndërsa festojmë sot arritjet e profesorit Shechtman, ne mund të nxjerrim mësime të vlefshme nga rrugëtimi i tij. Pra, ne jo vetëm festojmë arritjet e tij të jashtëzakonshme, por gjithashtu ripohojmë angazhimin tonë për ndjekjen e dijes dhe përparimin e shkencës. Përkushtimi i profesorit Shechtman ndaj studentëve të tij dhe komunitetit më të gjerë shkencor është një shembull i ndritshëm i ndikimit që ne të gjithë mund të kemi nëpërmjet bashkëpunimit dhe mentorimit. Historia e tij frymëzuese e qëndrueshmërisë, vendosmërisë dhe zbulimit inkurajon secilin prej nesh të shtyjë kufijtë e të kuptuarit tonë dhe të kontribuojë në përmirësimin e botës sonë”.
Ndërkaq laureati, Dan Shechtman, u shpreh se ndihet i nderuar për këtë çmim dhe se e vlerëson ftesën nga Universiteti i Prishtinës. “Është nder i madh për mua të jem këtu dhe të nderohem me doktoratën e nderit”. Me këtë rast, përveç tjerash, profesori Dan Shechtman deklaroi se puna e profesorëve është që të inkurajojnë studentët që të bëhen profesionistë të mirë dhe të kontribuojnë në shoqëri.
Një fjalë rasti mbajti edhe Ambasadorja e Izraelit në Kosovë, Tamar Ziv, e cila tha se është e lumtur që në Kosovë po i ndahet çmimi profesorit Dan Shechtman, pikërisht në kohën kur shteti i Izraelit po e feston 75 vjetorin e pavarësisë. “Do të doja ta falënderoja rektorin për ftesën dhe mundësimin e kësaj vizite. Sot kemi nderin që profesori Dan Shechtman të nderohet me titullin Doctor Honoris Causa si njohje për kontributin e tij në shkencë”.
Laudatori, prorektori Sefer Avdiaj, tha se Dan Shechtman, me punën e tij shkencore, ka bërë të mundur që përveç shkencës, të ketë përfitim edhe shoqëria e gjerë. “Është nderë dhe privilegj që t’i drejtohem sot një pionieri të vërtetë në shkencën e materialeve. Karriera e profesorit si shkencëtar është zhvilluar në rrugën e përparimit dhe të kuptuarit të shkencave materiale”.
Titulli Doctor Honoris Causa ju nda profesorit Dan Shechtman për punën e tij në zbulimin e kuazikristaleve dhe kontributin e rëndësishëm në avancimin e shkencës së materialeve, si dhe përkushtimin e tij të vazhdueshëm për përdorimin e shkencës dhe teknologjisë për mirëqenien e shoqërisë.