Abetarja ndër vite në fokus të ekspozitës së studentëve të UP-së për Ditën e Mësuesit

07 Mars 2023
SHARE

Në Ditën e Mësuesit, studentët e Fakultetit të Edukimit në Universitetin e Prishtinës, kanë hapur ekspozitën për historikun e Abetares dhe librit shqip ndër vite.

Në hapjen e kësaj ekspozite foli rektori i UP-së, prof. dr. Qerim Qerimi, i cili tha qe kjo ekspozitë është e rëndësishme, për disa arsye. “Kjo ekspozitë është e rëndësishme për shumë arsye. S’ka fare diskutim rëndësia që ka vetë kjo datë, e cila është e pakrahasueshme e e pamatshme. Ekspozita është e rëndësishme, sepse siç kuptoj, është e para ekspozitë e tillë që shfaqet për publikun. Më e rëndësishme për ne është që puna e pasqyruar është produkt i studentëve tanë”, tha rektori Qerimi.

Nderkaq, dekani i këtij Fakulteti, prof. dr. Blerim Saqipi, vlerësoi lartë punën e studentëve në realizimin e kësaj ekspozite dhe shtoi që Fakulteti i Edukimit kanë përfshirë në kuadër të misionit të tyre edhe dimensionin e komunikimit dhe atë të ndërveprimit me komunitetin, e në këtë rast, së pari me shkollën.

E studentja, Arianita Bajrami, tha se kjo ekspozitë ka për qëllim edhe njohjen me rilindësit, që kanë kontribuar në abetaren dhe shkollën e parë shqipe. Ajo shtoi që për realizimin e ekspozitës, kanë punuar të gjithë studentët.

Në këtë ekspozitë të hapur sot, përveç librit të abetares dhe atij shqip ndër vite, u pasqyrua edhe kontributi i figurave të shquara kombëtare në zhvillimin e edukimit shqip.