Në hollin e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”, u mbajt sot ceremonia e shënimit të Ditës së Bibliotekës dhe Ditës Ndërkombëtarë të Vetëdijesimit për Biblioteka, nën organizimin qendror të Bibliotekës Kombëtare dhe në partneritet me Universitetin e Prishtinës.
Rektori, prof. dr. Qerim Qerimi, tha se është privilegj që fjalimin e parë zyrtar në cilësi të rektorit të UP-së ta adresojë në këtë ditë të veçantë për librin. Ai foli për rëndësinë e librit në shoqëri dhe për punën që është bërë në kuadër të Projektit për Ngritje të Kapaciteteve në Arsimin e Lartë për Mbështetje të Rrjetit të Shërbimeve për Biblioteka, në kuadër të programit Erasmus+.
“Biblioteka është burimi ekzistencial i dijes. Kjo mbetet njëlloj e vlefshme edhe në kohën kur biblioteka po transformohet. Sigurisht, ajo nuk është vetëm një institucion ku takohen kërkuesit e dijes, por është kulturë dhe kujdestare e rëndësishme e trashëgimisë kulturore, kombëtare dhe institucionale,” tha rektori. Më tutje, ai bëri thirrje për “lexim, kujdes dhe kultivim të respektit dhe pasionit për librin si instrument të pazëvendësueshëm dhe themeltar në formimin e një individi dhe modelimin e një shoqërie”.
Të pranishmëve, me fjalë përshëndetëse, iu drejtua edhe drejtori i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”, z. Fazli Gajraku, i cili me të pranishmit në këtë përvjetor të 78-të, ndau arritjet e institucionit që drejton. Këtë ditë e uruan edhe partnerë të tjerë të bibliotekës, por edhe UP-së, nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Agjencia Kosovare për Privatizim, profesorë e studiues.
Aktivitetet për shënimin e kësaj dite vazhduan me hapjen e ekspozitës “Perceptimi për shqiptarët në artin e karikaturës”, kuruar nga Sean Pessin.