Në ambientet e Fakultetit Juridik, sot, është bërë inaugurimi i këndeve të leximit, të dedikuara për studentët e këtij fakulteti.
Në këtë ceremoni, rektori i Universitetit të Prishtinës, prof. dr. Naser Sahiti, i shoqëruar nga prorektorja për mësimdhënie dhe çështje për studentë, prof. asoc. dr. Mimoza Ibrani, u mirëprit nga dekani i Fakultetit të Juridikut, prof. ass. dr. Avni Puka dhe stafi i kësaj njësie akademike.
Me këtë rast, rektori Sahiti tha se investimet e tilla janë të rëndësishme dhe shumë të nevojshme pothuajse për secilin fakultet të UP-së, sepse me anë të tyre, krijohet atmosferë më e këndshme për lexim dhe hapësirë për rrjetëzim në mesin e studentëve.
Ndërkaq, dekani Puka njoftoi se janë bërë të gjitha investimet e nevojshme në këtë holl të leximit, përfshirë këtu edhe furnizimin me literaturë mjaft të larmishme, e cila do të jetë gjatë gjithë kohës në dispozicion për shfrytëzim nga ana e studentëve.
Ky projekt, i ideuar nga studentët e Fakultetit të Arkitekturës, të udhëhequr nga profesoresha Arta Xhambazi, ka paraparë edhe infrastrukturën e nevojshme për lehtësimin e qasjes për personat me aftësi të kufizuara. Kjo e fundit tha se kjo nismë do të vijojë edhe me projekte të tjera, të cilat do të rezultojnë me hapësira më të mira për studentët tanë.