PhD ICT KES

Projekti: The development and implementation of a PhD Program in ICT for the Kosovo Education System (PhDICTKES).

PhD ICT KES është një projekt i mbështetur nga Bashkimi Evropian në kuadër të programit Erasmus+ Key Action 2 dhe i udhëhequr prej Universitetit Linnaeus, Suedi. Projekti është planifikuar të implementohet brenda tre viteve nëntor 2019 deri më nëntor 2022.

Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” (UP) është i vetmi Institucion i Arsimit të Lartë në Kosovë i cili për vite të tëra ka ofruar programe të studimit PhD në fushën e TIK-ut (PhD në Inxhinieri Kompjuterike), dhe është aktualisht në fazën e akreditimit me një program të ri të studimit PhD në këtë fushë. Për më tepër, UP-ja është i vetmi universitet në vendin tonë me traditë dhe i akredituar tashmë në të trija nivelet e studimit, ato baçelor, master, dhe PhD në Inxhinieri Kompjuterike, Fakulteti i Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike.

Qëllimi i projektit është që të angazhohemi për të ofruar një sërë rekomandimesh lidhur me studimet PhD karshi nevojave të Kosovës, gjegjësisht për të zhvilluar një kurrikulë model, si dhe një udhëzues dhe dokumente strategjike dhe rregullative rreth implementimit të saj. Më tej, planifikohet të themelohet një “Shkollë Kombëtare PhD në TIK” e cila do të fasilitonte studimet PhD në këtë fushë në Kosovë bazuar në përvojën e universiteteve të vendeve partnere të BE-së të cilat janë pjesëmarrëse në projekt. Përveç akademisë, edhe Ministria e Arsimit dhe e Shkencës, dhe trupi akreditues i Kosovës janë të përfshira në implementimin e projektit për të mbuluar çështjet që kanë të bëjnë me politikat në studimet PhD, si dhe përfaqësues të biznesit në mënyrë që të përmbyllet cikli i palëve me interes që do të formësojnë dhe mbështesin studimet PhD në fushën e TIK-ut.

UP-ja ka mundësinë të përfitoj nga projekti duke zgjeruar pervojat e saj në dizajnimin, zhvillimin dhe implementimin e kurrikulave të nivelit PhD në fushën e TIK-ut duke pasur parasysh përvojën e universiteteve partnere nga BE-ja të cilat janë pjesëmarrëse në projekt, dhe duke e përfshirë stafin e tij dhe studentët në projekt, por gjithashtu duke vendosur infrastrukturë të re për hulumtime shkencore, si dhe duke i avancuar praktikat e saj në përkrahje të studimeve PhD në fushën me prosperitet të TIK-ut në Kosovë.

Konsorciumi i projektit përbëhet prej:

  • Linnaeus University, Suedi – Fituesi i grantit (Lnu)
  • Norvegian University of Science and Tehcnology, Norvegji (NTNU)
  • South East Research Center, Greqi (SEERC)
  • Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” (UP)
  • Universiteti I Biznesit dhe Teknologjisë (UBT)
  • Universiteti i Prizrenit “Ukshin Hoti” (UHU)
  • Ministria e Arsimit dhe e Shkencës (MASH)
  • Agjencia Kosovare e Akreditimit (AKA)

Për t’u informuar më shumë rreth projektit, ju lutem vizitoni Uebsajtin:

https://phdictkes.eu/