UP-ja bashkorganizator në Seminarin Ndërkombëtar të Doktoratës në Lubjanë

24 Maj 2024
SHARE

Si pjesë e bashkëpunimit me Universitetin e Lubjanës në ofrimin e programit të doktoratës me diplomë të dyfishtë, akredituar në vitin 2023 si një nismë inovative në universitet, Fakulteti i Edukimit i Universitetit të Prishtinës ishte bashkorganizator i Seminarit Ndërkombëtar të Doktoratës në Lubjanë në datat 20-25 maj 2024, bashkë me Universitetin Umea nga Suedia, Universitetin e Splitit dhe Universitetin e Lubjanës.

Dekani i fakultetit, prof. Blerim Saqipi, mbajti ligjëratën hyrëse me temën "Understanding school development through research perspective". Studentët e doktoratës në programin me diplomë të dyfishtë të Fakultetit të Edukimit morën pjesë në seminare doktorale, ku prezantuan projektet e tyre të hulumtimit, morën pjesë në ligjëratat e organizuara me tematika të ndryshme të hulumtimit dhe koncepte arsimore, ndërsa profesorët nga Këshilli i Doktoratës (prof. Majlinda Gjelaj dhe prof. Naser Zabeli) fasilituan seminaret e temave të didaktikës dhe edukimit në fëmijërinë e hershme.

Në seminar pati edhe ligjërata të tjera nga fusha e metodologjisë së hulumtimit me tema si "making research doable", "phenomenological studies methodology", "education system and reform in Slovenia", "education system in Sweden", “meritocracy in education” dhe aktivitete të tjera të shumta në grupe të vogla, nga të cilat përfituan studentët e doktoratës. Në seminar morën pjesë 60 pjesëmarrës nga Suedia, Kroacia, Sllovenia dhe Kosova. Ky seminar ndërkombëtar paraqet një nga nismat dhe standardet e reja të cilësisë, që janë vendosur me programin e përbashkët të doktoratës në shkencat e edukimit.