Në një takim njohës të menaxhmentit të Universitetit të Prishtinës me përfaqësues të USAID-it dhe Universitetit të Iowa-s, u diskutua se si të fuqizohet arsimi i lartë në Kosovë.
Universiteti i Iowa-s është duke e zbatuar projektin e USAID-it „Partneritetet e Sektorit Privat për Forcimin e Arsimit të Lartë”, një program pesëvjeçar, qëllim i të cilit është t’u ndihmojë universiteteve që të ofrojnë mundësi edukimi më të lidhura me ekonominë.
Për të folur për këtë projekt dhe mundësitë se si shkollimi në Universitetin e Prishtinës të jetë në harmoni me nevojat e tregut të punës, në Rektorat erdhën Eric Guetschoff, zyrtar për ndërmarrjet private dhe Merita Teliqi – Devaja, specialiste për menaxhimin e projekteve në Zyrën e USAID-it në Kosovë .
Të pranishëm në takim ishin edhe anëtarë të ekipit nga Universiteti i Iowa-s që po zbatojnë aktivitetin „Partneritetet e Sektorit Privat për Forcimin e Arsimit të Lartë”, drejtoresha e projektit Cassie Barnhardt dhe drejtuesja e aktivitetit Elmaze Gashi.
Mysafirët u pritën nga rektori Arben Hajrullahu, prorektori Avni Hajdari dhe këshilltarja ligjore e rektorit, Rina Mehana.
Shteti dhe institucionet arsimore amerikane vazhdimisht ndihmojnë Universitetin e Prishtinës.
Ky universitet e ka një memorandum bashkëpunimi me Korporatën e Sfidave të Mijëvjeçarit, një agjenci federale amerikane, nga programi „Compact” i së cilës Kosova ka përfituar mbi 200 milionë dollarë.
Gjithashtu, më 3 tetor u inaugurua Instituti i Antropologjisë në Fakultetin Filozofik nga një ndihmë financiare amerikane prej 16 mijë eurosh, të dhënë nëpërmjet „University Support Grant”.
Atë ditë rektori Arben Hajrullahu e nderoi ambasadorin e ShBA-së në Kosovë, Jeffrey M. Hovenier, me mirënjohjen e „Ulpiana Fest-it”.