Organizata Joqeveritare „Voice of Roma, Ashkali and Egyptians in Kosovo” ka filluar zbatimin e fazës së dytë të programit për mbështetje akademike të studentëve romë, ashkalinj e egjiptianë.
Në thirrjen publike për përfituesit e këtyre mundësive, organizata shpjegon se qëllimi i programit të saj është që të rritet pjesëmarrja e këtyre komuniteteve në arsimin e lartë dhe tëndihmohet përmirësimi i shkallës së vijimit të mësimit, performanca, përfaqësimi dhe diplomimi i studentëve romë, ashkalinj e egjiptianë.
Programi ofron mentorim, mësim ndërmjet bashkëmoshatarëve, mundësi për punë praktike, orientim në karrierë dhe mbështetje me pajisje teknologjike, por edhe përgatitje për të ardhmen e atyre që aplikojnë.
Ky program u dedikohet vetëm studentëve të komuniteteve romë, ashkalinj e egjiptianë të nivelit bachellor që studiojnë në institucione publike e private të arsimit të lartë.
Përparësi në përzgjedhje kanë gratë e vajzat, ndërsa vlerësohet edhe suksesi i studentëve dhe studenteve në vitin paraprak.
Aplikimi mund të bëhet duke plotësuar një formular online dhe duke dorëzuar dokumentet e nevojshme.
„Organizata Joqeveritare Voice of Roma, Ashkali and Egyptians in Kosovo” mbështet komunitetet e përmendura në fushat e arsimit, punësimit, strehimit, si dhe me anë të avokimit dhe përfaqësimit para institucioneve dhe agjencive qeveritare lokale dhe ndërkombëtare.