Ftesë për aplikime në Trajnimin për Auditorë të Energjisë

13 Qershor 2024
SHARE

Ftohen ekspertët e fushave përkatëse që të aplikojnë në Trajnimin për Auditorë të Energjisë në ndërtesa dhe ndriçim publik i cili organizohet nga Qendra për Energji dhe Qëndrueshmëri (QEQ) e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”. Trajnimi planifikohet të mbahet gjatë muajit Shator/Tetor 2024.

Trajnimi i Auditorëve të Energjisë do të realizohet sipas Rregullores (MEPTINIS) Nr. 05/2020 Për sistemin e ofruesve të shërbimit energjetik dhe kriteret minimale për auditimin energjetike, cila rrjedhë nga Ligji Nr. 06/L-079 Për efiçiencë të energjisë.

Trajnimi realizohet nga Trajnerët për Auditim të Energjisë të cilët janë të certifikuar nga konzorciumi EIHP (Energy Institute Hrvoje Požar) & FIRE (Federazione Italiana per L’uso Razionale Dell’energia), në vitin 2018.

Bazuar në Shtojcën I të Rregullores (MEPTINIS) Nr. 05/2020, trajnimi përbëhet prej katër pjesëve si vijon:

- Java e parë dhe dytë – Ligjëratat (minimum 40 orë),

- Java e tretë – Vizitat në teren,

- Java e katërt – Përgatitja, dhe Prezantimi i Raportit të auditimit energjetik, dhe

- Java e pestë  – Përgatitja për provim, Provimi përfundimtar (150 minuta).

Në fund të trajnimit, gjatë javës së pestë, parashihet testi me shkrim me një kohëzgjatje prej 150 minutash që rrjedh nga materialet e trajnimit të përdorura në programin e trajnimit dhe kandidatët duhet të kenë arritur kalueshmërinë prej së paku 70%.

Sipas Rregullores (MEPTINIS) Nr. 05/2020, Kapitulli III, Neni 5, Paragrafi 4, Auditori i Energjisë në ndërtesa për t'u certifikuar duhet të përmbushë kriteret minimale të përshkruara në vijim:

Kriteret

Pranueshmëria

Shpjegim

Kualifikimi arsimor/ edukimi

Për auditorët e energjisë në ndërtesa:

- Arkitektura, ndërtimtaria, inxhinieri mekanike, inxhinieri elektrike 

Këto kualifikime arsimore kërkohen zakonisht në kryerjen e auditimeve energjetike dhe sigurojnë njohuri të mëparshme për sistemet teknike dhe instalime që janë subjekt i auditimit energjetik, duke përfshi përvojën e dëshmuar profesionale.


Diploma e kërkuar 

Diplomën Master ( së paku 300 pikë të ECTS) në Arkitekturë, ndërtimtaria, inxhinieri mekanike, inxhinieri elektrike

Kërkohen 300 ECTS kredi ose ekuivalent sipas programeve të mëparshme arsimore. 

(p.sh. inxh. i dipl.).

Dokumentimi i përvojës

- Së paku 5 vite përvojë profesionale e verifikueshme në projektim, zbatim dhe mbikëqyrje të projekteve arkitektonike, ndërtimore dhe inxhinierike.

- CV, referencat dhe lista e projekteve të dorëzohen.

Të dhënat e dokumentuara dhe kohëzgjatja e përvojës së punës do të demonstrojnë ekzistencën e eksperiencave inxhinierike teorike dhe praktike.

 

Kandidatët të cilët plotësojnë kriteret për të ju nënshtruar trajnimit për auditor të energjisë në ndërtesa e të cilët kanë diplomë në inxhinieri elektrike, i plotësojnë kriteret për certifikuar edhe si auditor të energjisë për ndriçimin publik, nëse të njëjtit kalojnë me sukses provimin përfundimtar.

Për shkak të natyrës së trajnimit i cili përmban pjesën teorike dhe pjesën praktike, si dhe për shkak të nevojës që ekipi i auditimit të jetë i përbërë nga profesionistët e fushave përkatëse, trajnimi zhvillohet në grupe prej 6-8 kandidatësh, me shpërndarje afërsisht të njëtë të kandidatëve nga fushat e inxhinierive të specifikuara në kuadër të kritereve minimale. 

Numri minimal i kandidatëve të paraqitur për të filluar trajnimi është 24 kandidatë, ndërsa numri maksimal është 48 kandidatë.

Afati për aplikim është prej 18 Qershor – 28 Qershor 2024, ora 16:00.

Pranimi i kandidatëve të cilët i plotësojnë kriteret minimale bëhet në bazë të parimit kush aplikon i pari.

Shpenzimet për trajnim, provimin final dhe Certifikatë do të mbulohen nga kandidatët/kandidatet në shumën prej 670 Euro.

 

Adresa zyrtare për dorëzimin e aplikacioneve është QEQ Prishtinë, vetëm përmes postës elektronike në adresën, [email protected].