Sukses i madh i Universitetit të Prishtinës: Rritet 66 për qind cilësia e kërkimit shkencor në renditjen e Times Higher Education (THE)

30 Maj 2025
SHARE

Në renditjen për vitin 2025 të Times Higher Education (THE), platformës më prestigjioze globale të rangimit të institucioneve të arsimit të lartë, Universiteti i Prishtinës në raport me vitin 2024, shënoi ngritjen më të madhe prej 66 për qind në fushën e cilësisë së kërkimit shkencor.

Universiteti i Prishtinës, i vetmi nga institucionet publike e private gjithëshqiptare të arsimit të lartë, i përfshirë që nga viti 2023 në mesin e 2000 universiteteve të 115 vendeve në botë që përbëjnë renditjen e përgjithshme të Times Higher Education (THE), shënoi ngritje edhe në tre tregues tjerë me të cilët matet klasifikimi ndërkombëtar i universiteteve.

UP-ja shkoi më lart për 9.35 për qind në fushën e mjedisit kërkimor. Edhe kriteri i industrisë në Universitetin e Prishtinës ishte më i lartë për 9.24 për qind. Gjithashtu, cilësia e mësimdhënies u ngrit për 7.63 për qind, gjithnjë në krahasim me vitin e kaluar.

Nga gjashtë fushat e studimeve të përfshira në matjet e platformës së njohur, më së miri në Universitetin e Prishtinës u pozicionua edukimi, në vendin 601+, derisa biznesi dhe ekonomia u vlerësuan në pozitën 801+.

Times Higher Education (THE), platforma më e njohur globale e renditjes së universiteteve, bën dy rangime të ndryshme të institucioneve të arsimit të lartë nga mbarë bota.

Njëri është rangimi i përgjithshëm i universiteteve që mat e vlerëson performancën e plotë të këtyre institucioneve: kërkimin shkencor, mësimdhënien e citimin, ndërsa tjetri është rangimi në bazë të ndikimit, ku vlerësohet arritja nga universitetet e objektivave të zhvillimit të qëndrueshëm të përcaktuar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara.

Në kohën kur mijëra maturantë të hapësirave gjeografike shqiptare në Ballkanin Perëndimor po kalojnë ditët e tyre të fundit si nxënës të shkollave të mesme, Universiteti i Prishtinës po konfirmohet ndërkombëtarisht si zgjidhja më e mirë e tyre për fillim dhe vazhdim të jetës akademike.