Në Universitetin e Prishtinës, në kuadër të projektit „NanoKos” u nënshkruan pesë marrëveshje bashkëpunimi me institucione të arsimit të lartë, profesorë të tyre dhe organizata të shoqërisë civile.
Dy marrëveshje u arritën me Universitetin „Isa Boletini” të Mitrovicës dhe Universitetin „Fehmi Agani” të Gjakovës, ndërsa dy të tjera me Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Prishtinës, kurse një tjetër me organizatën joqeveritare „Rilindja e Gjelbër”.
Marrëveshjet lidhen me projektet konkrete të profesorëve të Fakultetit të Mjekësisë: Mimoza Basholli e Shpend Elezi dhe kolegëve të tyre nga universitetet e Mitrovicës dhe Gjakovës, Mirsade Osmani e Vllaznim Mula dhe shoqatës „Rilindja e Gjelbër”.
Nënshkrimet në marrëveshje, në një ceremoni solemne, i vendosën rektorët Arben Hajrullahu, Nyrten Deva, Drilon Bunjaku dhe dekani Sefedin Muçaj, në emër të universiteteve të Prishtinës, Mitrovicës, Gjakovës e Fakultetit të Mjekësisë dhe përfaqësuesi ligjor i „Rilindjes së Gjelbër”, Urim Xharavina, ndërsa për projektin „NanoKos”, nënshkroi kordinatori i tij nga UP-ja, profesori Armond Daci. U nënshkruan gjithashtu edhe profesorët bartës të projekteve.
Projekti „NanoKos”, i financuar nga Bashkimi Evropian, u lansua në qershorin e vitit 2023 në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Prishtinës, ndërsa synon shtim të bashkëpunimit ndërkombëtar dhe kapaciteteve hulumtuese me teknologjinë më moderne. Me projekte, punëtori dhe aktivitete të ndryshme mëton t’u japë zgjidhje kryesisht problemeve mjedisore dhe mjekësore.
Deri tash në kuadër të këtij projekti janë realizuar 34 mobilitete afatgjata prej dy-tre muajsh të studentëvë të diplomuar dhe atyre të doktoratës, derisa ka pasur edhe mobilitete afatshkurtra disaditëshe në Kings College të Londrës dhe universitetet e Milanos dhe Parmës.