Universiteti i Prishtinës i pikëlluar për vdekjen e profesorit Isak Hoxha

24 Maj 2025
SHARE

Rektori i Universitetit të Prishtinës, Arben Hajrullahu, duke e pranuar me dhimbje të thellë lajmin për vdekjen e profesorit të Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit, Isak Hoxha, ngushëllon për këtë humbje të madhe, personelin akademik, studentët, familjen e profesorit dhe të gjithë të pikëlluarit.

Profesori Isak, për dekada dha kontribut të jashtëzakonshëm në Universitetin e Prishtinës – si pedagog i përkushtuar dhe mentor i brezave të tërë të studentëve. Me profesionalizmin, urtësinë dhe dinjitetin e tij, ai la gjurmë të pashlyeshme në zhvillimin e fakultetit dhe formimin e shumë inxhinierëve që sot janë të angazhuar nëpër punët dhe sfidat inxhinierike në të gjithë Kosovën e më gjerë.

Fakulteti i Inxhinierisë së Ndërtimit humbi një profesor të dalluar, kolegët humbën një mik të respektuar dhe studentët një udhërrëfyes të vërtetë.

Varrimi i prof. dr. Isak Hoxhës do të bëhet më 25 maj 2025, në fshatin Zhur të Prizrenit, me fillim në orën 13:00, ndërsa ngushëllimet për intelektualin e dëshmuar do të organizohen nga familja në hotelin „Grand”, më 26 e 27 maj.

Të mërkurën e 28 majit, Fakulteti i Inxhinierisë së Ndërtimit me një mbledhje komemorative do ta nderojë jetën, punën dhe veprën e profesorit të ndjerë.