Fakulteti i Edukimit i Universitetit të Prishtinës i hap Kosovës rrugën e anëtarësimit në European Education Research Association (EERA)

21 Mars 2025
SHARE

Kosova është bërë kandidate-anëtare e Shoqatës Evropiane të Hulumtimeve në Arsim (European Education Research Association — EERA), pas një pune të pandalshme dyvjeçare nga Fakulteti i Edukimit i Universitetit të Prishtinës dhe institutet e organizatat tjera që merren me arsimin.

Aplikacioni i Kosovës në këtë shoqatë, ndër më të rëndësishmet e fushës së hulumtimeve arsimore në Evropë, është miratuar nga Këshilli i EERA-s, në takimin e zhvilluar në Berlin, më 14-15 mars 2025.

Përveç hulumtuesve nga Universiteti i Prishtinës dhe Fakulteti i Edukimit, procesin e anëtarësimit në këtë shoqatë e ndihmuan edhe Instituti Pedagogjik i Kosovës, organizatat joqeveritare dhe një grup më i gjerë i profesionistëve arsimorë të vendit.

Studiuesve kosovarë të arsimit, pranimi i Kosovës kandidate-anëtare e Shoqatës Evropiane të Hulumtimeve në Arsim, do t’u mundësojë pjesëmarrje më aktive në punimet e Konferencën Evropiane për Kërkime në Arsim (ECER), qasje në tarifa të reduktuara, mundësi bashkëpunimi, rrjetëzimi e shkëmbimi të njohurive dhe dukshmëri më të madhe në rrjetet kërkimore evropiane.

Për të qenë anëtare e plotë e EERA-s, Kosova duhet ta krijojë Shoqatën Kombëtare të Kërkimeve Arsimore, një proces që do të udhëhiqet nga Fakulteti i Edukimit i Universitetit të Prishtinës, duke pasur edhe ndihmën e çmueshme të Shoqatës Evropiane të Hulumtimeve në Arsim.

Kjo shoqatë ka brenda vetes më shumë se 40 asociacione kombëtare të hulumtuesve të arsimit nga shtete të ndryshme të rajonit dhe Evropës.