Universiteti i Prishtinës i pikëlluar për vdekjen e profesorit Hysni Krasniqi

18 Mars 2025
SHARE

Rektori Arben Hajrullahu, pas marrjes së lajmit të dhimbshëm për vdekjen e profesorit Hysni Krasniqi, në emër të personelit dhe studentëve të Universitetit të Prishtinës, ngushëllon familjen, miqtë, komunitetin artistik dhe qytetarët e Kosovës për këtë humbje të madhe.

Profesori Hysni Krasniqi, që kaloi në amshim në moshën 83 vjeçare, pas shkollimit jashtë Kosovës, u kthye që me punën e tij të palodhshme e të pandalshme ta ndihmojë ngritjen që nga fillimi të Fakultetit të Arteve të Universitetit të Prishtinës.

Në këtë fakultet, ai për shumë breza studentësh e me dekada të tëra, ligjëroi lëndën e Grafikës, duke mbjellë te të rinjtë dashurinë e pafundme për artin dhe jetën.  

 Përveç mësimdhënies, Krasniqi tërë jetën derdhi në letër, materiale të ndryshme ose pëlhurë, ndjesitë dhe talentin e tij, i cili u shfaq nëpër shumë ekspozita brenda dhe jashtë vendit.

Profesori i nderuar ishte i lidhur fuqishëm edhe me vendin ku jetoi, duke përjetësuar pjesë të zhvillimeve, ngjarjeve, vuajtjeve e sukseseve të Kosovës, nëpër punimet që la pas vetes. Njeriu që në grafikat e tij paraqiti, mes tjerash, grunajat e xixëllonjat e vendlindjes, duke lartësuar kultin e bukës që te ne është e shenjtë, do t’u mungojë fizikisht të gjithë atyre që e deshën dhe e vlerësuan.