17 vjet të 17 Shkurtit 2008: Universiteti i Prishtinës uron Ditën e Pavarësisë

17 Shkurt 2025
SHARE

Në ditën kur janë mbushur plot 17 vjet të shtetësisë të njohur ndërkombëtarisht, rektori Arben Hajrullahu ua uron 17 Shkurtin — Ditën e Pavarësisë, studentëve, personelit mësimor, administrativ e mbështetës të Universitetit të Prishtinës dhe mbarë popullit të Kosovës.

Për rektorin Hajrullahu, Dita e Pavarësisë ishte kurorëzimi i një përpjekjeje të vazhdueshme dhe të pafundme të gjeneratave të tëra të njerëzve të Kosovës, për të cilën nuk u kursyen as mundi e as jeta.

Universiteti i Prishtinës, bashkë me të gjithë ata e ato që kontribuuan dhe u sakrifikuan për këtë ditë dhe këtë vend, ndodhet në themelet e shtetësisë së Kosovës. Thuajse të gjitha proceset që çuan drejt lirisë e çlirimit, përgjatë dekadave të tëra, u nisën nga profesorë e studentë të UP-së dhe prej ambienteve të këtij universiteti.

Shumë prej tyre nuk ia dolën dhe nuk janë më në mesin tonë, por mbetën në kujtesën e brezave dhe historisë si luftëtarë e aktivistë të paepur të lirisë, nga të cilët duhet marrë mësim se si duhet dhe bëhet atdheu e shteti.

Jetoftë përjetësisht Republika e Kosovës e gëzuar!