Në 55 vjetorin e themelimit të Universitetit të Prishtinës, Kryesia e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë uroi rektorin Arben Hajrullahu, personelin mësimor dhe studentët.
Në letrën e urimit, Kryesia e Akademisë, duke e konsideruar Universitetin e Prishtinës një qendër të rëndësishme të dijes, kërkimit shkencor dhe edukimit të brezave të rinj, konstatoi se ky universitet ka kontribuuar ndjeshëm në zhvillimin e Kosovës dhe mbarë hapësirës shqiptare.
Për Kryesinë e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Universiteti i Prishtinës, gjatë më shumë se një gjysmëshekulli ka treguar përkushtim ndaj arsimit të lartë, shkencës dhe zhvillimit kombëtar dhe do të vijojë të jetë një shembull i ekselencës akademike, inovacionit dhe bashkëpunimit shkencor.
Prandaj, Kryesia e Akademisë, duke i uruar UP-së suksese të mëtejme, konfirmon vullnetin e saj të plotë për fuqizimin e lidhjeve akademike dhe shkencore ndërmjet dy institucioneve.
Universiteti i Prishtinës, të premten e 14 shkurtit festoi përvjetorin e 55-të me një varg aktivitetesh, ndërsa në platformat ndërkombëtare është institucioni i arsimit të lartë i renditur më së larti nga të gjitha universitetet në gjuhën shqipe të hapësirës gjeografike shqiptare në Ballkanin Perëndimor.