UP-ja feston 55 vjetorin: Nderohet e kaluara dhe e ardhmja

14 Shkurt 2025
SHARE

Universiteti i Prishtinës të premten e 14 shkurtit feston 55 vjetorin e themelimit, me një varg aktivitetesh festive.

Përvjetori i 55- të do të nisë në Sallën e Senatit të Rektoratit, me nderimin që do t’u bëhet profesorëve që përfundojnë mësimdhënien aktive në Universitetin e Prishtinës. Atyre do t’u jepen mirënjohje për kontributin jetësor për edukimin e brezave të rinj.

Pastaj ceremonia solemne do të zhvendoset në amfiteatrin e Bibliotekës Qendrore Universitare, ku do të shfaqet një dokumentar për Universitetin e Prishtinës. Të pranishmëve do t’u drejtohet rektori Arben Hajrullahu, e do të flasë edhe njëri nga rektorët e universiteteve partnere të rajonit.

Dy video-mesazhe në përvjetorin e tij, UP-së do t’i vijnë edhe nga Qendra Interdisiplinare për Siguri, Besueshmëri dhe Mirëbesim (SnT) në Universitetin e Luksemburgut dhe Kolegji Akademik Gordon në Haifa të Izraelit.

Në këtë ditë të shënuar do të nderohen edhe studentët më të mirë të Universitetit të Prishtinës. 55 vjetori i UP-së do të shoqërohet edhe me pika artistike të përgatitura nga studentët dhe profesorët e Fakultetit të Arteve.