Konferenca e parë ndërkombëtare që ka për qëllim dokumentimin shkencor të të gjitha krimeve të ndodhura gjatë luftës në Kosovë, do të nisë në përvjetorin e pavarësisë, si për të treguar ku i ka themelet liria.
„Shkalla, Trashëgimia, dhe Gjykimi i Krimeve të Luftës në Kosovë” është tema e konferencës që për tri ditë, nga 17 deri më 19 shkurt 2025, nëpër panele të ndryshme do të bëjë bashkë profesorë, hulumtues, juristë, sociologë, filozofë dhe profesionistë të profileve tjera, vendas e ndërkombëtarë për të hedhur dritë mbi të gjitha krimet që ndodhën në vitet 1998-1999 në vendin tonë.
Ngjarja e organizuar nga Instituti për Krimet e Kryera Gjatë Luftës në Kosovë, do të nisë në orën 16:00 të së hënës së 17 shkurtit 2025, në amfiteatrin te Instituti i Historisë „Ali Hadri” në Prishtinë, ndërsa, mes tjerësh, të pranishmëve me fjalimet e tyre hapëse do t’u drejtohen, kryeministri, Albin Kurti, rektori i Universitetit të Prishtinës, Arben Hajrullahu dhe drejtori i Institutit, Atdhe Hetemi.
Në ditën e dytë të konferencës, do të flitet për plagët e luftës në Drenicë, përpjekjet për dëbim të qëllimshëm të popullsisë shqiptare, për dhunën seksuale si armë lufte dhe djegien e shkatërrimin e librave.
Dita e tretë e konferencës do t’u kushtohet krimeve kundër njerëzimit të kryera në Kosovë, ndërsa do të flasë edhe nënkryetarja e Kuvendit dhe e mbijetuara e këtyre krimeve, Saranda Bogujevci dhe Feride Rushiti, drejtorja ekzekutive e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, që është propozuar për Çmimin Nobel për Paqe.
Instituti për Krimet e Kryera Gjatë Luftës në Kosovë dhe Universiteti i Prishtinës, në tetor të vitit të kaluar nënshkruan memorandum bashkëpunimi, me të cilin parashikoheshin zhvillimet e projekteve kërkimore, organizimet e konferencave dhe seminareve, si dhe burimet dhe ekspertizat e dyanshme për aktivitete të përbashkëta.
Deri në kohën e nënshkrimit të memorandumit, Instituti kishte mbledhur 8500 orë incizime dhe 6700 fotografi që dokumentojnë krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë.
Agjenda e Konferencës.