Hapat e universitetit për ofrimin e hapësirave të sigurta

18 Prill 2024
SHARE

Rastet e pretenduara të ngacmimeve dhe ngacmimeve seksuale përbëjnë shqetësim të vazhdueshëm për menaxhmentin e Universitetit të Prishtinës. Vlerësojmë se karshi masave të parandalimit, adresimi i drejtë dhe meritor i të gjitha rasteve të kësaj natyre paraqesin mënyrën e vetme të drejtë të luftimit të praktikës së ngacmimit. Në kontekstin e masave dhe veprimeve të vazhdueshme, menaxhmenti i UP-së ka bërë ndryshime sistemore në mënyrën e mbajtjes së orëve të konsultimeve të stafit akademik me studentë dhe kandidatë të shtruar provimeve. Me njësitë akademike është përcaktuar që konsultimet me studentë të jenë me qasje publike në sallat mësimore të njësive përkatëse.

Po ashtu, në SEMS, që nga viti i kaluar, studentët kanë mundësi të shfrytëzojnë modulin për konsultime online me profesorët dhe asistentët e lëndëve përkatëse. Gjithnjë në këtë kontekst, Qendra për Përsosmëri të Mësimdhënies e UP-së në kurrikulat e trajnimeve të stafit akademik, me vijueshmëri tanimë të obliguar nga stafi akademik i UP-së, do të integrojë një modul të obliguar për identifikimin dhe parandalimin e dukurive të ngacmimit dhe ngacmimit seksual gjatë ushtrimit të detyrave të tyre akademike.

Po ashtu, universiteti ka filluar përgatitjet që, në të ardhmen e afërt, platforma e sistemit elektronik për menaxhimin e studentëve të UP-së (SEMS) të pajiset me një modul shtesë edukativ, të obligueshëm dhe të vijohet nga tërë stafi akademik i UP-së në baza vjetore, me qëllim edukimi dhe trajnimi të mëtejmë të stafit mbi identifikimin dhe parandalimin e incidenteve të kësaj natyre në të ardhmen. Përmes platformës SEMS, UP-ja tanimë ka vënë në dispozicion të studentëve modulin e digjitalizuar për raportimin e rasteve të ngacmimeve.

Ndërmjet tjerash, moduli përfshin Rregulloren për parandalimin dhe mbrojtjen nga ngacmimi seksual dhe nga ngacmimi në UP, së bashku me broshurat udhëzuese përkatëse për raportim. Më tutje, në çdo njësi akademike të UP-së nga zyrtarët për parandalimin dhe mbrojtjen nga ngacmimet janë mbajtur sesione informuese lidhur me procedurat për raportimin e rasteve të ngacmimeve dhe ngacmimeve seksuale në UP. Sesionet e tilla do të vazhdojnë të mbahen çdo vit akademik.

Menaxhmenti i UP-së siguron dhe garanton tërë opinionin publik, palët në proces, studentët dhe pjesëtarët e stafit akademik dhe jo vetëm, se adresimi i çdo pretendimi për sjellje që bien ndesh me normat e kodit etik dhe kuadrin normativ, të kujtdo qoftë, do të përcillet me vëmendje të shtuar derisa të marrë epilog meritor në përputhje të plotë me procedurat dhe rregullat në fuqi, bazuar në faktet dhe provat për secilin rast.

Këshilli i Etikës i Universitetit të Prishtinës është organi përgjegjës për monitorimin dhe zbatimin e Kodit të Etikës të UP-së. Sipas këtij kodi, Këshilli i Etikës është përgjegjës për zhvillimin e procedurave disiplinore që e shoqërojnë këtë kod, përfshirë të drejtën për të propozuar sanksionet për rastet e shkeljes së këtij kodi.

Në kontekstin e mësipërm, të vetëdijshëm për vëllimin dhe përmbajtjen e rasteve dhe vështirësitë e shumta që shfaqen gjatë përmbushjes së përgjegjësive të Këshillit të Etikës, menaxhmenti i UP-së ka bërë përpjekje shtesë për fuqizimin e Këshillit të Etikës, si organ të pavarur dhe të kapacitetit funksional të tij.

Për shembull, vitin e shkuar, Rektorati i UP-së ka përfituar një projekt Fullbright Specialist Program të Qeverisë Amerikane, sipas të cilit, në periudhën maj – gusht të këtij viti në UP do të qëndrojë prof. dr. Richard Hall nga Fayetteville State University, specialist në fushën e filozofisë dhe etikës, me angazhim kryekëput në mbështetjen e punës së Këshillit të Etikës të UP-së.

Korniza tanimë e aprovuar nga donatorët amerikanë e veprimtarisë së tij përfshin rishikimin e rregullores së Këshillit të Etikës, ngritjen e kapaciteteve dhe këshillimin e KE-së në trajtimin e rasteve të shkeljes së Kodit të Etikës dhe identifikimin e mundësive për bashkëpunim në të ardhmen me një grup ndërkombëtar ekspertësh.