"Kosova Anthropologica" siguron DOI, UP-ja bëhet anëtar i regjistrit Crossref

31 Janar 2024
SHARE

Për të zbatuar sistemin e identifikimit digjital, revista "Kosova Anthropologica" (Departamenti i Antropologjisë, Fakulteti Filozofik) ka bërë Universitetin e Prishtinës anëtar të Crossref, organizata më e madhe në botë për regjistrimin e sistemit DOI (Digital Object Identifier - Identifikuesi i Objekteve Digjitale).

Crossref  (https://www.crossref.org/) mundëson rreth 1.1 miliardë klikime në lidhjet DOI çdo muaj. Anëtarësimi në Crossref është jetik për botuesit që publikojnë libra, revista dhe materiale të tjera në format digjital, sepse siguron identifikim unik të përmbajtjes shkencore. Gjithashtu, promovon publikimet dhe lehtëson lidhjen e referencave në mënyrë automatike. Për më tepër, anëtarësimi në Crossref ofron mundësi të anëtarësimit në institucione që prodhojnë publikime me qasje të hapur (open access) dhe garanton qasje në inovacionet dhe zhvillimet e vazhdueshme në botimin digjital, duke mbajtur botuesit në avantazh të fushës.

Sistemi i Identifikimit Digjital të Objekteve (DOI) është thelbësor për revistat me qasje të hapur pasi ofron një identifikues unik dhe të përhershëm për çdo artikull, duke siguruar njohje dhe referim të veçantë në komunikimin akademik.

DOI-të e bëjnë citimin më të besueshëm dhe ulin rrezikun e zhdukjes së lidhjeve/vegëzave në internet. DOI-të lejojnë gjurmimin e saktë të matjeve dhe citimeve, të cilat janë të rëndësishme për analizën e ndikimit dhe shtrirjes së publikimeve. Thjesht, DOI-të integrojnë revistat me qasje të hapur në ekosistemin digjital shkencor.

Revista e Departamentit të Antropologjisë "Kosova Anthropologica" tani është pajisur me një prefiks DOI dhe nga këtu e tutje do të referojë artikujt e saj me DOI.