UP-së i shtohet programi i ri në studimet master “Menaxhimi i Integruar i Resurseve Ujore në Kosovë”

24 Korrik 2023
SHARE

Të gjithë të rinjtë të interesuar për studime në fushën e menaxhimit të resurseve ujore, nga tetori mund të aplikojnë në programin e ri të UP-së “Menaxhimi i Integruar i Resurseve Ujore në Kosovë”.

Vendimi i fundit i Këshillit Shtetëror të Cilësisë së Agjencisë së Kosovës për Akreditim e konfirmoi UP-në si institucionin e vetëm në vend, që ofron studime në fushën e Menaxhimit të Integruar të Ujërave në Kosovë (MIRU). Ky program ofrohet në kuadër të Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit dhe është i akredituar për 3 vjet.

Në raportin e vlerësimit të jashtëm të programit të studimeve, ekspertët ndërkombëtarë vlerësuan se programi i studimeve për Menaxhimin e Integruar të Resurseve Ujore, pjesë e Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit, i plotëson standardet e vendosura nga AKA-ja në masën më të madhe (97%), për të filluar punën nga viti akademik 2023/2024. Programi i studimeve MSc MIRU do të fillojë punën me gjeneratën e parë të studentëve në tetor të vitit 2023 dhe do të organizohet në gjuhë angleze.

Programi i studimeve MSc MIRU është program i cili përfshin shumë fusha specifike shkencore brenda kurrikulës së vet, duke qenë pjesë e këtij programi mësimdhënës nga nëntë njësi akademike të Universitetit të Prishtinës, në bashkëpunim me Universitetin “Haxhi Zeka” të Pejës si dhe mësimdhënës nga Universiteti TH Koln, Gjermani.

MSc MIRU është mbështetur nga Skat Consulting Ltd. Branch in Kosovo, Zyra Zvicerane për Zhvillim dhe vazhdon edhe më tutje përkushtimin dhe përkrahjen për mbarëvajtjen e studimeve. Fakulteti i Inxhinierisë së Ndërtimit të Universitetit të Prishtinës mbetet i përkushtuar në përmbushjen e misionit dhe vizionit të tij, përkatësisht strategjisë së zhvillimit të Institucionit, duke zhvilluar arsimin akademik dhe kërkimet shkencore në fushën e Inxhinierisë së Ndërtimit.