Rektori Qerimi i jep mirënjohje profesorit Harald Niklasson për kontributin e tij dhënë për studentët e UP-së

05 Qershor 2023
SHARE

Harald Niklasson është njëri ndër profesorët më të dashur për shumë të rinj kosovarë, të cilët në kohën e luftës kanë vijuar studimet në Suedi. Për kontributin gjeneroz dhe mbështetjen e dhënë për studentët e Universitetit të Prishtinës gjatë kësaj kohe shumë të vështirë, duke iu ofruar kujdes të veçantë për mirëqenien e tyre dhe duke ofruar grante dhe bursa, profesori Nikalson u shpërblye sot me mirënjohje nga UP-ja.

Këtë mirënjohje ia ndau rektori Qerim Qerimi, në një takim të përbashkët me ministren e Industrisë dhe Ndërmarrësisë, znj. Rozeta Hajdari, e cila ishte njëra ndër studentet që, pas përfundimit të studimeve bachelor në UP, studimet master i kishte vazhduar në Universitetin Växjö, në Suedi.

Profesori Niklasson kishte dhënë kontributin e tij edhe në nisjen e bashkëpunimit ndërmjet Universitetit të Prishtinës dhe Universitetit Växjö qysh në vitet e 90-ta, atëherë kur kishte bërë vizitat e para në Prishtinë, në bodrumet ku po mbahej mësimi. Kontributi i tij kishte vazhduar edhe në dekadat në vijim, duke realizuar vizita shkëmbimi ndërmjet të dyja universiteteve, duke iu ofruar bursa studentëve kosovarë, përmes Institutit Suedez të Shkencës, si dhe më shumë se 30 bursa në kuadër të programit TEMPUS të Bashkimit Evropian.

Kontributi i tij u vlerësua lart nga rektori Qerimi, i cili theksoi që UP-ja i është mirënjohëse për ndihmën e dhënë atëbotë për të rinjtë tanë, e cila po vazhdon edhe sot të shfaq efektin e saj.

Ndërkaq, ministrja Hajdari rikujtoi vështirësitë e saj gjatë studimeve në Suedi dhe ndihmesën e drejtpërdrejtë që i është dhënë nga profesori Nikalson, për çka ajo u shpreh shumë mirënjohëse.

Gjatë takimit u theksua që shumë studentë që kanë kryer studimet në Universitetin Växjö janë rikthyer në Kosovë dhe janë duke i kontribuar shoqërisë në funksione të ndryshme në institucione, në arsimin e lartë, biznese apo janë të përfshirë në funksione të rëndësishme në organizata të ndryshme në vend.