Komunikatë e Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtinës "Hasan Prishtina"

21 Tetor 2022
SHARE

Njoftim,

Ju njoftojmë se në mbledhjen e sotme të Këshillit Drejtues tëUP-së të mbajtur me datë 21/10/2022, pikë e rendit të ditës ishte Vlerësimi i performancës dhe përmbushjes së detyrave të menaxhmentit të lartë sipas përcaktimeve të ligjeve dhe Statutit në fuqi, dhe vendosja për përgjegjësinë institucionale sipas gjetjeve të KD.

Paraprakisht është kërkuar nga Rektori Prof. Dr. Naser Sahiti që të përgatiten të dhënat lidhur me çështjet që tregojnë performancën e menaxhmentit të lartë në UP dhe të diskutohen në takim, si përsëritja e të gjeturave të Auditorit, mos-adresimi i çështjeve përmes planit të veprimit, vazhdimi si Ushtrues Detyre të ish Sekretarit të Përgjithshëm pa njoftim të Këshillit Drejtues, mungesa e Strategjisë për ndërkombëtarizim të UP, mos adaptimi i praktikave të ndryshme ndërkombëtare të cilat do të përshtateshin në funksion të përmirësimit të cilësisë në përgjithësi dhe ndjekjes së trendit global të dijës, mos-adresimi i rënies së vazhdueshme të numrit të studentëve, mos-adresimi dhe mos-përmbushja e vendeve të lira të punës, ku mbi 50% e vendeve të punës në Administratën Qendrore janë të paplotësuara, probleme dhe jo transparencë në publikimin e shpenzimeve, e në veçanti problemeve që lidhen me prokurimin publik, lejimi i marrjes së mbi-normave për staf akademik, duke mbyllur Universitetin për rekrutime të reja në staf akademik njëkohësisht duke i vështirësuar programet në akreditim, rënia në rankimin e WEBOMETRICS si dhe çështje tjera të ngritura nga KD. 

Meqenëse Rektori nuk ka qenë prezent në takimin e sotëm sipas ftesës për raportim në lidhje me angazhimin e tij dhe argumentimin e përpjekjeve për përmirësim të performancës, KD me shumicë absolute të votave (8 vota për, 1 abstenim) mori vendim për shkarkimin e Rektorit. 

Gjithashtu u mor vendim që ditën e hënë, datë 24/10/2022 tëhapet menjëherë konkursi për zgjedhje të Rektorit, duke respektuar të gjitha dispozitat ligjore në fuqi. 

Me qëllim të shmangies së vakumit institucional, KD po në këtë takim me vota unanime ka emëruar Prof. Ass. Luljeta Plakolli Kasumi, ushtruese të detyrës së Rektorit deri në përmbylljen e procesit të konkursit.

 

KËSHILLI DREJTUES

UNIVERSITETI I PRISHTINËS “HASAN PRISHTINA’’