Senati i Universitetit të Prishtinës në mbledhjen e mbajtur të mërkurën e 28 majit 2025, shpalli zgjedhjet për anëtarët e UP-së në Këshillin Drejtues dhe vendosi ta nderojë me titullin „Doktor Nderi”, juristin japonez të së drejtës ndërkombëtare me famë globale, Hisashi Owada.
Në mbledhje u vendos të shpallen zgjedhjet për pesë anëtarët nga personeli akademik që përfaqësojnë Universitetin e Prishtinës në Këshillin Drejtues.
Senatorët, pa vota kundër dhe abstenime, miratuan shpalljen e konkursit dhe përcaktimet e kritereve për përzgjedhjen e studentëve të rinj në programet baçelor dhe master. U aprovua njëzëri edhe Rregullorja për Zyrën e Ombudspersonit, pasi me statutin e ri të korrikut të vitit 2024, UP-ja duhet të ketë një avokat për studentë.
Hartimi i kësaj rregulloreje dhe i konceptit për themelimin e zyrës, u mbështet nga projektet: „HEI '25” dhe „Përkrahja e Arsimit të Lartë Përmes Avokimit dhe Kontributit të Bazuar në Hulumtim". Këto projekte u realizuan nga Koalicioni për Integritet dhe Transparencë në Universitet (KITU), avokuesi kryesor i idesë së krijimit të zyrave të ombudspersonit në universitetet publike. Financimi për këtë nismë është bërë nga Fondacioni i Ballkanit Perëndimor për Shoqëri të Hapur.
Ndryshim i vogël iu bë tekstit të rregullores për angazhimin e bashkëpunëtorëve të jashtëm. Termi „bashkëpunëtorë të jashtëm” u zëvendësua me „profesorë të angazhuar”. Senati vendosi të shpallë thirrje publike për profesorë dhe asistentë të angazhuar dhe ua vazhdoi angazhimin kësaj kategorie në UP për vitin 2025/’26.
Në mbledhje u përcaktuan qartë edhe kriteret dhe dallimet mes konferencave kombëtare dhe ndërkombëtare.
Në Senat kaluan njëzëri edhe disa tema doktorate nga njësitë e ndryshme akademike të UP-së, sipas rekomandimeve të Këshillit Qendror të Studimeve të Doktoratës, derisa u diskutua edhe rreth shfrytëzimit të hapësirave universitare nga palët e treta. U vendos që palët e treta që nuk kanë mision të njëjtë a të ngjashëm me Universitetin e Prishtinës, nuk mund të shfrytëzojnë hapësirat e këtij universiteti.