Një delegacion i drejtuesve dhe profesorëve nga Universiteti i Shkencave të Jetës në Poznan të Polonisë ishin për vizitë në Rektoratin e Universitetin e Prishtinës për të fuqizuar lidhjet ekzistuese dhe krijuar bashkëpunime te reja.
Dekania e Fakultetit të Inxhinierisë Mjedisore dhe Mekanike, Klaudia Borowiak, profesoresha Anna Budka dhe koordinatorja e programit Erasmus, Marta Lisiak Zielinska, u pritën nga rektori Arben Hajrullahu dhe prorektori për kërkime shkencore, projekte dhe inovacion, Avni Hajdari.
Mysafirët polakë u shoqëruan nga dekani i Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit, Florim Grajçevci dhe koordinatorja për bashkëpunim ndërkombëtar e këtij fakulteti, Vlerë Krasniqi.
Dy studentë të Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit në kuadër të programit Erasmus+, janë duke vazhduar shkollimin e tyre në Universitetin e Shkencave të Jetës në Poznan, ndërsa profesorë nga këto dy institucione të arsimit të lartë kanë pasur rastin të ligjërojnë para studentëve në Poznan dhe Prishtinë.
Në takim, dekania Klaudia Borowiak, tha se bashkëpunimi me Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit është afatgjatë, derisa tregoi se për herë të pestë vjen në Kosovë dhe i pëlqen të jetë këtu.
Rektori Hajrullahu duke i përgëzuar të dy dekanët për shumë projekte të përbashkëta, tha se do të bëjë gjithçka në nivel rektorati që këto aktivitete dhe bashkëpunime të zhvillohen më lehtë dhe të fuqizohen.
Universiteti i Shkencave të Jetës në Poznan është universiteti më i rëndësishëm i këtyre shkencave në Poloni. Në kuadër të këtij universiteti funksionojnë gjashtë fakultete nga fushat e inxhinierisë, ekonomisë, ushqimit, bujqësisë, veterinarisë dhe pylltarisë.