Promovohet revista akademike „Kosova Anthropologica”

27 Maj 2025
SHARE

Arkeologu dhe profesori i Universitetit të Miçiganit, Michael Galaty, ligjëroi para personelit akademik dhe studentëve të Universitetit të Prishtinës për vendet antike të Kosovës, Shqipërisë e Ballkanit, në ditën kur në Departamentin e Antropologjisë u promovua numri i dytë i revistës akademike „Kosova Anthropologica”.

Profesori Galaty në ligjëratën e tij përmendi sfidat e arkeologjisë dhe antropologjisë në kohën moderne në të cilën po jetojmë, derisa dha detaje për gërmimet dhe gjetjet në lokalitetet parahistorike Lubozhdë e Llugë të Kosovës.  Përveç ligjërimit, profesori amerikan foli edhe për revistën „Kosova Anthropologica”, ku është njëri nga redaktorët. Tha se e ardhmja e saj është e ndritshme.

Edhe rektori i Universitetit të Prishtinës, Arben Hajrullahu, duke iu drejtuar themeluesve të revistës, përgëzoi redaksinë e revistës  „Kosova Anthropologica” dhe theksoi faktin se revista akademike ka nisur me hapa të sigurt për të vazhduar gjatë.

Në promovim foli edhe antropologu nga Tirana, Nebi Bardhoshi, që kujtoi se revista „Kosova Anthropologica” ka nisur pikërisht në ditën kur në Shqipëri festohet „Dita e Verës”, një festë shumë e vjetër pagane.  Ai uroi që revista të kthehet në një tryezë qendrore antropologjike për shqiptarët në mënyrë që t’i japë peshë vetvetes si institucion dhe Departamentit të Antropologjisë në Fakultetin Filozofik të UP-së.

Kryeredaktori Arsim Canolli, që është profesor në Departamentin e Antropologjisë  dhe drejtor i Institutit të Antropologjisë, teksa foli për historikun e sfidave dhe punëve të mëdha për fuqizimin dhe ndërkombëtarizimin e revistës, tha se në të ardhmen  „Kosova Anthropologica” synon të hapet si forum për çdo lloj teme nga gjithë bota, pa kufizime tematike vetëm në Kosovë e rajon.

Kjo revistë është e pajisur me numrin ISSN dhe është pjesë e disa platformave elektronike ndërkombëtare shkencore, përfshirë DOAJ-in, ndërsa numri i saj i parë doli në vitin 2023.