Studentët e UP-së në „Festivalin e Aftësive Digjitale” zhvillojnë lidhjen mes studimeve, ekonomisë e teknologjisë

23 Maj 2025
SHARE

Në „Festivalin e Aftësive Digjitale” të zhvilluar në hapësirat e Parkut të Inovacionit dhe Trajnimit në Prizren, u diskutua për rrugët dhe mundësitë e përfshirjes së teknologjisë në bizneset e reja dhe lidhjen e tregut të punës me studimet. 

Festivalit, të organizuar nga Parku i Inovacionit, me financim të Bashkimit Evropian  dhe Ministrisë Federale Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (BMZ) në kuadër të një projekti të zbatuar nga GIZ-i, sivjet iu bashkua edhe aktiviteti „Kampi Digjital”, i organizuar nga Zyra e Kryeministrit.

Në ngjarjen e rëndësishme për teknologjinë e së ardhmes, morën pjesë prorektorja për zhvillim institucional, cilësi dhe çështje studentore, Majlinda Gjelaj dhe studentë të Universitetit të Prishtinës nga drejtimet inxhinierike, bashkë me kolegët e koleget e tyre nga universitetet tjera të vendit.

Duke iu drejtuar pikërisht studentëve, drejtori i GIZ-it për Kosovë dhe Maqedoni të Veriut, David Oberhuber, tha se presim sidomos nga studentët e rinj që të vijnë me ide të reja, derisa folën edhe Vedat Sogojeva, drejtor i Zyrës për Planifikim Strategjik në Zyrën e Kryeministrit dhe Muhamed Rexhepi, drejtor ekzekutiv i Parkut të Inovacionit dhe Trajnimit.

Në kuadër të festivalit, sot janë paraparë edhe dy panele diskutimi në lidhje me parqet teknologjikë si nxitës zhvillimi të bizneseve të reja dhe ndikimin e qendrave evropiane të inovacionit digjital në vendet e Ballkanit Perëndimor, ndërsa për inspirim do të tregohen edhe histori suksesi të ndërmarrjeve të reja.

Gjatë ditës do të shpallet grupi fitues i garës studentore „Junction X  ITP Prizren”, në të cilën studentët pjesëmarrës me mjete të inteligjencës artificiale dhe sigurisë kibernetike do të mundohen të zgjidhin sfidat e caktuara të sektorit industrial dhe atij publik. Grupit fitues do t'i mundësohet shkuarja në një garë të ngjashme që do të zhvillohet në Helsinki të Finlandës.

Universiteti i Prishtinës është partner i „Festivalit të Aftësive Digjitale”, që prej vitit 2023 organizohet për çdo vit në Prizren.