Studentët amerikanë ndihen si në shtëpi në Universitetin e Prishtinës

20 Maj 2025
SHARE

Një delegacion i studentëve të drejtësisë nga Universiteti Shtetëror i Floridës vizitoi sot rektoratin e Universitetit të Prishtinës, në kuadër të një qëndrimi dyjavor të tyre në Kosovë.

Megjithëse jetojnë mijëra kilometra larg, ata thanë se në Universitetin e Prishtinës dhe në shtetin e Kosovës, po ndihen si në shtëpi, ndërsa vlerësuan lart numrin e madh të kosovarëve që dinë anglisht, energjinë pozitive dhe mikpritjen e tyre.

Të shoqëruar nga profesori Terry Coonan dhe prof. Adelina Emini, kandidate doktorate dhe profesoreshë vizitore në Universitetin Shtetëror të Floridës, studentët amerikanë u pritën nga rektori Arben Hajrullahu, prorektorja për ndërkombëtarizim dhe shkëmbim akademik, Rozafa Basha, prorektorja për buxhet, financa dhe bashkëpunim me sektorin publik e privat, Albana Berisha-Qehaja dhe prorektori për kërkime shkencore, projekte dhe inovacion, Avni Hajdari.

Rektori Hajrullahu u tha studentëve se universitetet janë hapësira ku mund të mendohet qartë dhe lirisht, ndërsa foli edhe për rrugën historike, politike e juridike të Kosovës, duke u treguar mysafirëve të tij se shteti i Kosovës, njësoj si ShBA, është i ndërtuar mbi parimin e shtetit qytetar. Profesori Terry Coonan, tha se beson që Kosova përfaqëson njërën nga demokracitë më premtuese në Evropë.

Vizita e studentëve të Universitetit Shtetëror të Floridës është mundësuar nga programi „Human Rights in Europe’s Newest Democracy”, i zhvilluar nga profesorët Coonan dhe Emini. Vendosja e Kosovës në hartën e Universitetit Shtetëror të Floridës, që nga viti 2024, përtej aspekteve teknike, paraqet njohje të njerëzve tanë, jetës që bëjnë dhe energjisë së duhur që dinë ta transmetojnë te mysafirët e tyre. 

Programi, përveçse u krijon mundësi këtyre studentëve të mësojnë më tepër për mekanizmat e shtetësisë sonë, gjithashtu i vendosë ata në komunikim të drejtëpërdrejtë me aktivistë, përfaqësues të edukimit, bartës të institucioneve dhe qytetarë të zakonshëm.

Studentët amerikanë do të vizitojnë sot Krushën e Madhe të Rahovecit dhe do të takohen me gratë — heroina që mbi plagët e luftës ditën të ndërtojnë të ardhmen për veten dhe fëmijët e tyre. Kjo do të jetë vetëm njëra nga vizitat e planifikuara në mesin e shumë prej tyreve.

Universiteti Shtetëror i Floridës, i themeluar në vitin 1851 është universiteti më i vjetër i këtij shteti amerikan, ndërsa njihet si njëri nga institucionet më elitare të arsimit të lartë në fushën e kërkimit shkencor.

Studentët në këtë universitet mund të marrin dije për shkenca natyrore e humane, mjekësi, teknologji, arte dhe mund të aftësohen për profesione të ndryshme. Universiteti Shtetëror i Floridës ka 2 mijë e 760 mësimdhënës, nga të cilët gjashtë kanë marrë çmimin „Nobel” në fusha të ndryshme.