Rektori i Universitetit të Prishtinës, prof. Arben Hajrullahu, u prit sot në takim nga ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Sh.T. Jonathan Hargreaves, me të cilin diskutoi për fuqizimin e bashkëpunimit akademik ndërmjet UP-së dhe universiteteve britanike.
Takimi u përqendrua në iniciativat për projekte të përbashkëta kërkimore, shkëmbime akademike dhe promovimin e transformimit digjital e të dukshmërisë ndërkombëtare të UP-së.
Në takim mori pjesë edhe znj. Majlinda Mazelliu, drejtoreshë e Këshillit Britanik për Shqipëri dhe Kosovë. Gjatë këtij takimi u nënshkrua marrëveshja e bashkëpunimit ndërmjet Universitetit të Prishtinës dhe Këshillit Britanik, me synim përmirësimin e arsimimit të mësuesve të ardhshëm të gjuhës angleze, përfshirjen në programin e bursave „Women in STEM” që iu mundëson vajzave dhe grave studime në programet master në Britani të Madhe, projektin „HERCyber”, si dhe nxitjen e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe zhvillimit arsimor në fusha të ndryshme akademike.
Kjo marrëveshje shënon një hap të rëndësishëm drejt ndërkombëtarizimit të Universitetit të Prishtinës dhe thellimit të lidhjeve me një prej rrjeteve më të njohura globale për arsim dhe kulturë.
Këshilli Britanik është organizatë ndërkombëtare britanike për marrëdhënie kulturore dhe mundësi arsimimi. Është i shtrirë globalisht në më shumë se 100 shtete, ndërsa në vitin 2024 festoi 90 vjetorin e themelimit.