Universitetet, mes humanizmit, mendimit kritik dhe zhvillimit teknologjik

08 Maj 2025
SHARE

Në Konferencën „Roli i Universiteteve në Zhvillimin Socio-Ekonomik Rajonal të Balancuar”, rektori Arben Hajrullahu tha se institucionet e arsimit të lartë duhet të mëtojnë të ruajnë njerëzoren e humanizmin dhe të mos u nënshtrohen vetëm dinamikave të pakontrolluara që mund të shpien në zhvillim afatshkurtër, po jo domosdoshmërisht të qëndrueshëm.

Në hapje të konferencës së organizuar nga Ministria e Zhvillimit Rajonal dhe Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA), që ka partnerë strategjikë Universitetin e Prishtinës dhe Universitetin Gazi të Turqisë, rektori Hajrullahu tregoi se një ditë më parë mes këtyre dy universiteteve më të rëndësishme të Kosovës e Turqisë, është nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi.

Për rektorin Hajrullahu, edhe më parë, po edhe tash, universitetet janë „qendra ku trajnohet dhe zhvillohet të menduarit dhe si rezultat i këtij reflektimi njerëzor ndodhin të gjitha zhvillimet teknologjike”, mes tyre, edhe inteligjenca artificiale, pas së cilës asgjë nuk është njëjtë as për universitetet.

Përveç rektorit Hajrullahu, të pranishmëve në konferencë me fjalët e tyre iu drejtuan edhe rektori i Universitetit Gazi, Uğur Ünal, ambasadori i Turqisë në Kosovë, Sabri Tunç Angılı, ministri në detyrë i Zhvillimit Rajonal, Fikrim Damka dhe kryeministri në detyrë Albin Kurti.

Konferenca vazhdoi me panele diskutuese, në të cilat u trajtua ndikimi i universiteteve në inovacion, modelet e bashkëpunimit ndërmjet universiteteve, ministrive e komunave dhe bashkëpunimi kulturor e historik për zhvillim rajonal.