Arrihet marrëveshje mirëkuptimi mes Universitetit të Prishtinës dhe Kosovo United States Alumni (KUSA)

07 Maj 2025
SHARE

Një memorandum mirëkuptimi është nënshkruar ndërmjet Universitetit të Prishtinës dhe Kosovo United States Alumni (KUSA).

Memorandumi i nënshkruar nga rektori i Universitetit të Prishtinës, Arben Hajrullahu dhe drejtori i Kosovo United States Alumni (KUSA), Labinot Salihu, ka për qëllim bashkëpunimin ndërinstitucional në fushat e edukimit, zhvillimit profesional dhe angazhimit qytetar.

Gjithashtu, ky memorandum synon të krijojë mundësi që studentët dhe personeli akademik të përfshihen në aktivitete të përbashkëta për edukim cilësor, ndërkombëtarizim, përfshirje sociale dhe projekte që përmirësojnë sistemin arsimor dhe shoqërinë kosovare.

Gjatë takimit dhe ceremonisë së nënshkrimit, morën pjesë edhe prorektori për kërkime shkencore, projekte dhe inovacion, Avni Hajdari dhe Rina Mehana, këshilltarja ligjore e rektorit Arben Hajrullahu.

Universiteti i Prishtinës në fillim të prillit për projektet e paraqitura fitoi tetë grante të financuara nga Ambasada e ShBA-së në Kosovë, të cilat do të zbatohen dhe mbikëqyren nga Kosovo United States Alumni (KUSA).