Është nënshkruar një memorandum bashkëpunimi mes Universitetit të Prishtinës dhe atij Gazi në Turqi.
Nënshkrimet në dokumentin e përgatitur nga të dy universitetet, i vunë rektorët, prof. Arben Hajrullahu dhe prof. Uğur Ünal.
Duke u dëshiruar mysafirëve të tij që në Kosovë të ndihen si në shtëpi, rektori i Universitetit të Prishtinës, Arben Hajrullahu, uroi „që marrëveshja të mos mbetet vetëm në letër, por të jetë shumë e gjallë dhe shumë aktive dhe këtë do ta bëjnë njerëzit e universitetit tuaj dhe tonit”.
Rektori, Uğur Ünal, u zotua se Universiteti Gazi do të ndajë me Universitetin e Prishtinës të gjithë përvojën teknologjike e profesionale që ka. Memorandumi mbulon procedurat dhe parimet e bashkëpunimit akademik, kulturor e arsimor mes dy universiteteve.
Në takimin që i parapriu nënshkrimit dhe gjatë kësaj ceremonie solemne, rektorin Hajrullahu e shoqëruan edhe prorektorja për buxhet, financa dhe bashkëpunim me sektorin publik e privat Albana Berisha-Qehaja dhe prorektori për kërkime shkencore, projekte dhe inovacion, Avni Hajdari, derisa nga Universiteti Gazi, përveç rektorit, erdhën edhe disa profesorë të Fakultetit të Edukimit në këtë institucion të arsimit të lartë.
Universiteti Gazi, i themeluar në vitin 1926 nga krijuesi i Turqisë Moderne Mustafa Kemal Ataturk, që nga ana e babait thuhet se ishte me origjinë shqiptare, e ka selinë në qendër të Ankarasë, është ndër universitetet më të mira në Turqi, ndërsa ofron, mes tjerash, studime në fushat e teknologjisë, inxhinierisë, mjekësisë, edukimit, sportit e arkitekturës.