Nga UP-ja mund të nisë rruga e gjatë e Kosovës për prani në hapësirë dhe në teknologjinë e së ardhmes

22 Mars 2025
SHARE

Një grup i ndërmarrësve dhe profesionistëve gjermanë të fushave të ndryshme, paraqitën para rektorit Arben Hajrullahu dhe menaxhmentit të UP-së, projektet e tyre të së ardhmes, në të cilat synojnë ta përfshijnë edhe Kosovën dhe universitetin më të madh dhe më të rëndësishëm të saj.

Përfaqësues të tri kompanive gjermane shpjeguan në detaje projektet e kompanive që përfaqësonin.

Njëri prej këtyre projekteve lidhej me marketingun hapësinor dhe këshillimet për industrinë hapësinore, në të cilin i sugjerohej Kosovës krijimi i Agjencisë Nacionale të Hapësirës dhe përgatitjet për lansim në të ardhmen edhe të ndonjë sateliti, në emër të shtetit më të ri evropian.

Për këtë proces si dhe për ndonjë program edukimi hapësinor, kërkohej edhe ndihma e Universitetit të Prishtinës me ekspertizën e nevojshme.

Dy projektet tjera të prezantuara nga dy kompani të ndryshme, kishin të bënin me revolucionin teknologjik të së ardhmes – pajisjet në fazën e prototipave që do ta lehtësojnë e modernizojnë jetën tonë në fushat e energjisë së ripërtëritshme, mbrojtjes së ambientit dhe shfrytëzimit e riciklimit të mbetjeve industriale për të mirën e përgjithshme.

Gjatë takimit dhe pas prezantimeve, rektori Arben Hajrullahu u dëshiroi afaristëve gjermanë që të fillojnë konkretisht e fuqishëm zhvillimin e këtyre ideve, duke u kërkuar që për produktet e përmendura të hapin ndonjë fabrikë në Kosovë, pasi fuqia punëtore është më e lirë, njerëzit kanë kryesisht arsimim cilësor dhe shumë prej tyre njohin gjuhën gjermane.

Njëra nga shumë parimet drejtuese në punën e rektorit Hajrullahu dhe prorektorëve, është lidhja e studimeve në Universitetin e Prishtinës me nevojat ekonomike të vendit dhe tregun e punës.

Ndërmarrësit gjermanë erdhën në Kosovë dhe në Universitetin e Prishtinës të shoqëruar nga ndërmarrës, ekspertë dhe përfaqësues të diasporës së Kosovës në Gjermani e përtej.