Këshilli i ri Drejtues i Bibliotekës Qendrore Universitare, në mbledhjen e tij të parë zgjodhi kryesuese profesoreshën Arlinda Bytyqi- Damoni.
I pranishëm në fillim të mbledhjes së Këshillit, bashkë me prorektorët Majlinda Gjelaj, Rozafa Basha e Naim Jerliu, rektori i Universitetit të Prishtinës, Arben Hajrullahu, i dëshiroi kësaj trupe të rëndësishme, punë të mbarë dhe suksese. „E di se doni dhe dini të bëni punë të mira për ta çuar përpara Bibliotekën Universitare”, tha rektori Hajrullahu.
Ai përmendi nevojën e rifunksionalizimit të Shtëpisë Botuese të Universitetit të Prishtinës, në mënyrë që hulumtuesit shkencorë të universitetit të botojnë punime dhe libra nën logon e kësaj shtëpie botuese. Gjithashtu u fol edhe për digjitalizimin e bibliotekës dhe strategjinë e botimeve.
Në takim u tha që në fillim duhet të dihet gjendja aktuale e të gjitha njësive të Bibliotekës Qendrore Universitare, në mënyrë që të bëhen plane se si të ecet tutje.
Këshilli Drejtues i Bibliotekës Qendrore Universitare përbëhet nga profesorët e UP-së Arlinda Bytyqi- Damoni, Arben Hajdari, Blerim Rexha, nga zyrtarja për çështje akademike Sinavere Ukshini si dhe nga Agon Ahmeti prej shoqërisë civile.
Mandati i Këshillit Drejtues të Bibliotekës Qendrore Universitare është katër vjeçar, me mundësi rizgjedhjeje edhe për një mandat të dytë, ndërsa detyra më e rëndësishme e tij është aprovimi i strategjisë dhe politikave zhvillimore të kësaj biblioteke.