Në fjalimet hapëse të Forumit të Dytë të Studimeve të Evropës Juglindore që po zhvillohet në Fakultetin e Edukimit të Universitetit të Prishtinës, u kërkua gjetja e vendit dhe rolit të universiteteve, kërkimeve shkencore dhe akademisë në kohët moderne të inteligjencës artificiale dhe një bote të trazuar nga luftërat.
Në forumin që do të zgjasë tri ditë, të udhëhequr nga profesori Ger Duijzings, drejtuesi i Projektit „Seeffield”, që ka për qëllim fuqizimin e studimeve të Evropës Juglindore në Regensburg të Gjermanisë, po marrin pjesë profesorë e hulumtues shkencorë nga Universiteti i Prishtinës, universitetet e rajonit dhe Evropës Juglindore.
Duke iu drejtuar të pranishmëve, rektori Arben Hajrullahu, tha se po i pëlqen kjo hapësirë diskutimi. „Jam i bindur se do të lindin shumë ide dhe ndoshta dikush do t’i përmbledhë ato për t’i vënë në jetë”, deklaroi i pari i Universitetit të Prishtinës.
Ai foli edhe për rolin e universiteteve në kohën e ndryshimeve të shpejta teknologjike. „Inteligjenca artificiale me siguri nuk do t'i lërë universitetet ashtu siç kanë qenë. Por jam mjaft i bindur se thelbi i universitetit është i njëjtë për shekuj: të mësojë njerëzit të mendojnë, jo thjesht t’u thonë studentëve çfarë të bëjnë”, tha rektori Hajrullahu.
Për rektorin Hajrullahu, forume si ky që po organizohet në Universitetin e Prishtinës, ndihmojnë njerëzit për të shkatërruar paragjykimet dhe për të pasur „më shumë njerëz në rajon, në Evropën Perëndimore dhe në botë që mendojnë bazuar në prova shkencore”.
Në Forumin e Studimeve të Evropës Juglindore, foli edhe profesoresha e sociologjisë në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës, Vjollca Krasniqi. Ajo tha se „qëllimi i Forumit është reflektimi mbi rolin e universitetit ne kontekstin e Evropës Juglindore dhe më gjerë, përmes perspektivave krahasimtare institutcionale, shoqërore, dhe historike”.
Profesoresha Krasniqi, po ashtu theksoi se „universitetet kërkojnë modalitete për t’iu përgjigjur sfidave politike dhe shoqërore, krizave financiare dhe ndryshimeve demografike të ndikuara nga migrimi”.
Sivjet, edicioni i dytë i Forumit të Studimeve Evropiane, do të fokusohet në tri blloqe tematike: angazhimin publik universitar në kohën e mediave të reja, mësimin e gjuhëve: trashëgiminë, përfshirjen, mjetet e inteligjencës artificiale dhe trajektoret e karrierës për studiuesit e rinj të rajonit.
Projekti „Seeffield”, që ka nisur para tre vjetësh dhe do të vazhdojë deri në vitin 2029, mes tjerash, do t’i kushtojë rëndësi shumë të madhe studimit të gjuhës shqipe.