Profesorët e Universitetit të Studimeve të Aplikuara të Punës nga Manheimi i Gjermanisë, Joachim Ertelt dhe Michael Scharph, në një takim me rektorin Arben Hajrullahu dhe prorektorin Avni Hajdari, diskutuan për gjetjen e rrugëve dhe mundësive për bartjen në Kosovë të përvojës gjermane, duke ndërlidhur trajnimin e këshilltarëve të punësimit me tregun e punës.
GIZ Kosova, me mbështetjen e Qeverisë Gjermane dhe në bashkëpunim me Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve (MFPT) ka angazhuar dy profesorët për vlerësimin e nevojave të Agjensisë së Punësimit në Republikën e Kosovës dhe hartimin e një programi të certifikuar për këshillim në punësim.
Rektori Hajrullahu e mirëpriti këtë nismë, duke ofruar gjithë ndihmën nga UP-ja, ndërkaq profesorët thanë se ndihen të nderuar për të kontribuuar në këtë nismë, si e para në rajon e kësaj forme dhe lloji.
Në takim morën pjesë gjithashtu Vjosa Mullatahiri, menaxhere e komponentës së programit për politika të tregut të punës në GIZ Kosova dhe Bjondina Rexha, konsulente për zhvillimin e të rinjve në MFPT.
Universiteti i Studimeve të Aplikuara të Punës (HdBA), me kampuse në Mannheim dhe Schwerin, funksionon në kuadër të Agjencisë Federale të Punësimit në Gjermani.