Rektori Hajrullahu: UP-ja mëton rol qendror në periudhat kritike të historisë sonë

18 Shkurt 2025
SHARE

Në fjalimet hapëse të konferencës së parë ndërkombëtare të organizuar nga Instituti i Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë (IKKL), në amfiteatrin e Bibliotekës Qendrore Universitare, u tha se dokumentimi i këtyre krimeve forcon paqen dhe shtetësinë e Kosovës.

Konferenca „Shtrirja, Trashëgimia, Dokumentimi dhe Dënimi i Krimeve të Kryera në Kosovë” që do të zgjasë tri ditë, nisi jorastësisht e pikërisht në 17 vjetorin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Rektori Arben Hajrullahu, tha në këtë konferencë, se Universiteti i Prishtinës, si institucioni më i rëndësishëm akademik në vend, mëton të luajë rol qendror në hulumtimin dhe analizimin e periudhave kritike të historisë sonë.

Sipas rektorit Hajrullahu, për t’u kuptuar më mirë e vërteta historike dhe ndërtuar paqja e qëndrueshme, UP-ja ka lidhur marrëveshje bashkëpunimi me Institutin e Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë (IKKL), sepse lufta në Kosovë nuk ishte vetëm një betejë për liri, por edhe një moment i rëndësishëm historiko-politik, e që la edhe pasoja të mëdha në shoqërinë tonë.

Ndërsa, duke treguar se IKKL-ja ka mbledhur materiale për krimet e luftës nga 160 burime të ndryshme: institucione, organizata, media e individë, nga vendi dhe rajoni, drejtori ekzekutiv i këtij instituti, Atdhe Hetemi, tha se e tërë kjo punë është bërë që e vërteta të ruhet, të mbrohet dhe të kujtohet.

Të pranishmëve në konferencë iu drejtua edhe kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, që bëri thirrje krimet e luftës të mos mbulohen me heshtje e harresë.

Nga kjo konferencë shkencore ndërkombëtare ku do të marrin pjesë dhjetëra studiues e hulumtues nga Kosova dhe universitetet prestigjioze ndërkombëtare, është planifikuar të publikohet një botim i rëndësishëm akademik, i përgatitur nga profesorët Aidan Hehir dhe Furtuna Sheremeti.