Përkthimi si mjet për të larguar paragjykimet dhe afruar popujt mes vete

06 Shkurt 2025
SHARE

Në një takim me drejtuesit e Çmimit „Sheikh Hamad” për Përkthim dhe Mirëkuptim Ndërkombëtar, rektori Arben Hajrullahu tha se dallimet gjuhësore e kulturore nuk duhet shikuar si dobësi, por si fuqi.

Rektori Hajrullahu  priti Labib Nahhas-in, drejtorin ekzekutiv të Çmimit „Sheikh Hamad”, dhe anëtarin e bordit të këtij çmimi, profesorin Halit Eren. Ai u tha mysafirëve të tij se paragjykimet për njerëzit krijohen kur ata nuk mund të komunikojnë si duhet.

Çmimi „Sheikh Hamad” për Përkthim dhe Mirëkuptim Ndërkombëtar është krijuar në Doha të Katarit në vitin 2015, për të mbështetur përkthimin nëpër botë nga dhe në gjuhën arabe.

Të kënaqur që janë në Kosovë, zotërinjtë Nahhas e Eren thanë se janë të gatshëm për shtim bashkëpunimi me Universitetin e Prishtinës. Në Fakultetin e Filologjisë ekziston programi i Orientalistikës, ku mes tjerash, ligjërohet edhe për Gjuhë arabe.

Drejtuesit e këtij çmimi u shoqëruan edhe nga dekani i Fakultetit të Filologjisë Abdulla Rexhepi dhe profesori Isa Memishi, që e kishte fituar Çmimin „Sheikh Hamad” për Përkthim dhe Mirëkuptim Ndërkombëtar, në vitin 2017, për hartimin e fjalorit Arabisht-Shqip.

Ky çmimi jepet për përkthimin e librave individualë dhe për arritje profesionale në fushën e përkthimeve nga arabishtja në gjuhë të ndryshme dhe anasjelltas.