Në një takim me disa gazetarë ukrainasë më 16 janar 2025, rektori Arben Hajrullahu tha se përgjigjja ndaj nacionalizmit primitiv që shkakton luftëra, është Evropa, diversiteti i saj kulturor, fetar e etnik.
Rektori u tha më pas mysafirëve të tij se e kupton nëpër çfarë po kalojnë ata dhe shteti i tyre, pasi vetë Kosova dhe populli i saj, i përjetuan të njëjtat gjëra më parë.
Teksa tregoi se Universiteti i Prishtinës e ka Qendrën e Gjuhëve në Fakultetin Filologjik, rektori Hajrullahu tha se në këtë qendër mund të mësohet në të ardhmen edhe gjuha ukrainase.
Në takim u përmendën edhe shqiptarët që jetojnë në Ukrainë, kryesisht në fshatrat e rajonit të Odesës, si urë lidhëse mes dy popujve dhe kulturave.
Gazetarët ukrainasë thanë se Kosova është shembull suksesi dhe inspirimi për ta, pasi ajo kaloi të njëjtat vështirësi më parë.
Rektori Hajrullahu pastaj foli për mediumin e Kijevit „Hromadske Radio” për zhvillimet globale dhe rolin e arsimit të lartë për paqe dhe zhvillim.
Pak pas fillimit të luftës në Ukrainë, Qeveria e Kosovës bashkë me organizatat mediale evropiane dhe kosovare ua mundësuan gazetarëve ukrainasë të vendosen dhe ta kryejnë punën e tyre nga Kosova.