Në një bashkëbisedim me profesorin e Departamentit të Gazetarisë, Alban Zeneli, rektori i Universitetit të Prishtinës, Arben Hajrullahu, tha se duhet ta dëshmojmë në vazhdimësi që këtu në universitet banon dija.
Bashkëbisedimi kishte temë kryesore sfidat e Universitetit të Prishtinës gjatë rrugës së transformimit digjital, një procesi që nënkupton përdorimin e teknologjive digjitale dhe inteligjencës artificiale nga studentët, profesorët e administrata, për të funksionuar si institucion modern dhe i kohës në të cilën jetojmë.
Rektori Hajrullahu tha se pa digjitalizim, pa ngritjen e nivelit të digjitalizimit në Universitetin e Prishtinës, nuk mund të ecet përpara.
„Digjitalizimi është parakusht për të pasur një mësimdhënie më cilësore, hulumtime shkencore më cilësore, një administratë më funksionale. Kjo ndërlidhet fort edhe me idenë e mirëqeverisjes që karakterizohet prej transparencës dhe llogaridhënies”, shpjegoi ai.
Drejtuesi i Universitetit të Prishtinës, foli edhe për hapat drejt digjitalizimit dhe sukseset e këtij procesi. Për evidentimin e mbajtjes së procesit mësimor nga personeli akademik dhe pjesëmarrjen e studentëve në ligjërata e ushtrime me anë të QR kodeve.
Evidentimi i tillë, edhe me një kosto shumë të ulët materiale, u inaugurua për herë të parë në Kosovë, në Fakultetin e Mjekësisë më 13 dhjetor 2024.
Rektori Hajrullahu, më tutje, tregoi se që nga ardhja në krye të menaxhmentit të UP-së, ka kërkuar ndihmë nga ekspertë të organizatave ndërkombëtare për të vlerësuar se ku ndodhet aktualisht Universiteti i Prishtinës në procesin e digjitalizimit dhe nga duhet të ecë në të ardhmen.
„Ideja dhe qëllimi është që të mos lëvizim pa plan edhe pa strategji, të mos bëhen investime që janë shumë të kushtueshme pa një planifikim të mirë”, tha rektori Hajrullahu.
Duke nënvizuar se Universiteti i Prishtinës është institucioni i vetëm i Republikës së Kosovës, i licencuar për të ofruar studime të doktoratës, rektori Hajrullahu paralajmëroi se ky universitet nuk është botë e izoluar, por i ndihmon edhe shoqërisë kosovare, siç ka bërë që nga fillimi.
Rektori Hajrullahu në fund kërkoi që për universitetin më të madh e më të suksesshëm të vendit e përtej, të informohet në mënyrë më objektive, duke kujtuar se kjo barrë bie më shumë mbi Departamentin e Gazetarisë, që krijon gazetarët e së ardhmes.