Rektori Arben Hajrullahu është takuar me Arianit Kurtin, partner i projektit të BE-së „TKAEDITE” dhe koordinatoren e UP-së në këtë projekt, Krenare Pireva-Nuçin.
Projekti „Transformimi i Sistemit Arsimor në Kosovë dhe Shqipëri duke Përdorur Teknologji Digjitale në Edukimin e Mësuesve" (TKAEDITE) synon të mbështesë nxënësit dhe mësimdhënësit në Kosovë dhe Shqipëri në procesin e transformimit digjital në të gjithë sistemin arsimor.
Qëllimet kryesore të projektit janë: trajnimet në STEAM, robotikë, intelegjencë artificiale, krijimet e materialeve të hapura mësimore në formate të ndryshme dhe dizajnimi i programit bachelor për Teknologjinë arsimore.
Pas takimit, profesori i Universitetit të Linnaeus-it të Suedisë, Arianit Kurti, i mbajti trajnim personelit akademik të Universitetit të Prishtinës në lidhje me dizajnimin e projekt-propozimeve për thirrjet e projektit Erasmus +.
Rektori Hajrullahu, falënderoi profesorin Kurti për trajnimin, duke shprehur optimizmin që bashkëpunimi ndëruniversitar do të sjellë projekte të reja dhe inovative për zhvillimin e mëtejmë të Universitetit të Prishtinës.
„Shpresoj që në takimin e ardhshëm të kemi rastin të përurojmë projekte të reja të suksesshme, të fituara falë kësaj përvoje të ndarë nga partnerët tanë”, tha rektori Hajrullahu.
Edhe Mimika Dobroshi, nga Zyra e Erasmus+ në Kosovë, vlerësoi lart trajnimin për projektin e Bashkimit Evropian që mbështet arsimin, rininë e sportin.
Në fund të tetorit 2024, rektori Arben Hajrullahu, ishte takuar me përfaqësuesit e Zyrës së Erasmus+ në Kosovë dhe atëherë ishte diskutuar për avancimin e Universitetit të Prishtinës në një projekt të tillë.
Kosova është pjesë e programit Erasmus+ që nga viti 2015, ndërsa prej tij deri tash kanë përfituar 6278 studentë e profesorë të institucioneve të arsimit të lartë, duke studiuar në Evropë.